VLEN shpall Jakup Huseinin kandidat për kryetar të Komunës së Bërvenicës
VLEN ka shpallur kandidaturën e Jakup Huseinit për kryetar të Komunës së Bërvenicës.
Sipas njoftimit të partisë, Huseini është magjistër i shkencave juridike dhe aktualisht punon si nëpunës shtetëror në Komunën e Bërvenicës. Në VLEN thonë se përvoja e tij profesionale dhe puna e drejtpërdrejtë me banorët i kanë mundësuar të njohë nga afër nevojat, problemet dhe sfidat e komunës.
Partia e prezanton Huseinin si kandidat me përgatitje juridike, përvojë profesionale dhe njohje të administratës dhe procedurave komunale.
“Përparësia jonë është e qartë: nuk humbim kohë me akomodim”, thuhet në njoftimin e VLEN-it, duke shtuar se Huseini e njeh komunën, administratën dhe nevojat e banorëve.
Nga VLEN theksojnë se me këtë kandidaturë synojnë të ofrojnë një kandidat i cili, sipas tyre, mund të nisë punën me përgjegjësi konkrete që nga dita e parë në shërbim të banorëve të Bërvenicës.

