Saveski: Afatet ligjore për paraburgimin në rastin “Puls” duhet të respektohen
Prokurori Publik Republikan, Nenad Saveski, sot i hodhi poshtë vlerësimet se gjykatat punojnë nën presion ose në shërbim të prokurorisë publike, duke komentuar reagimet pas vendimeve në rastin “Llaskarc” dhe çështjen me ish kryetarin e Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski. Ai theksoi se Gjykata Supreme nuk i vlerëson akuzat, por ligjshmërinë e vendimeve të marra nga gjykatat më të ulëta, ndërsa lidhur me rastin “Puls” theksoi se afatet e paraburgimit janë të përcaktuara me ligj dhe duhet të respektohen, edhe pse, siç tha ai, prokuroria gjithmonë ka në dispozicion edhe mundësi të tjera ligjore.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me komentet e disa ish gjyqtarëve dhe avokatëve se gjykatat e shkallës së parë marrin aktvendime pa i vlerësuar mjaftueshëm provat, të cilat më pas shfuqizohen nga gjykatat më të larta, Saveski tha se vlerësime të tilla janë të gabuara.
“Nuk mund ta pranoj, dhe absolutisht konsideroj se është i gabuar përshtypja se gjykatat i marrin vendimet nën presion, nën ndikim ose në shërbim të prokurorisë publike. Aktvdndimet merren në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të zbatimit të ligjeve dhe provave që përmbahen në ato lëndë”, deklaroi Saveski pas seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Lidhur me pyetjen nëse problemi në lëndët “Llaskarc” dhe “Stevço Jakimovski” qëndron te aktakuzat, Saveski theksoi se Gjykata Supreme nuk i ka vlerësuar aktakuzat, por vendimet gjyqësore të marra në instancat më të ulëta.
Duke iu referuar lëndës “Puls” dhe mundësisë që pronari Dejan Jovanov – Deko të lirohet nga paraburgimi për shkak të skadimit të afateve ligjore, ai theksoi se paraburgimi është i rregulluar me ligj dhe me afate maksimale të përcaktuara, të cilat duhet të respektohen.
Ai nuk deshi të paragjykojë nëse prokuroria do të kërkojë zbatimin e masave të tjera për sigurimin e pranisë së të dyshuarit, duke theksuar se kjo është në kompetencë të prokurorëve që e trajtojnë lëndën.
Në pyetjen e gazetarëve nëse do të paraqesë ankesë ndaj vendimit të komisionit disiplinor në lëndën që lidhet me prokurorin Jovan Cvetanovski, Saveski u përgjigj se afati për paraqitjen e ankesës tashmë ka skaduar dhe se nuk do të ndërmarrë një hap të tillë.
Lidhur me vërejtjet se në ceremoninë me rastin e Ditës së Pavarësisë kishte një vend “nderi” pranë kryeministrit, Saveski tha se ishte ulur në vendin e përcaktuar nga protokolli qeveritar dhe se nuk konsideron se ishte i privilegjuar në raport me të ftuarit e tjerë.

