VLEN: Rasti i Llaskarcës është fytyra e dështimit të gjyqësorit

VLEN: Rasti i Llaskarcës është fytyra e dështimit të gjyqësorit

Shtatë vjet pas tragjedisë në Llaskarcë, familjet e 16 viktimave ende presin drejtësi. Pas vendimit për shfuqizimin e aktgjykimit të Apelit dhe kthimin e lëndës për rigjykim, partia VLEN shpreh shqetësimin se procesi gjyqësor mund të zvarritet edhe më tej.

Nga VLEN thonë se rasti “Durmo Turs”, së bashku me raste të tjera, është dëshmi e problemeve me të cilat përballet sistemi gjyqësor në vend.

“Rasti i Llaskarcës është fytyra e dështimit të gjyqësorit. Shtatë vjet pas tragjedisë në Llaskarcë, familjet e 16 viktimave ende presin drejtësi. Shfuqizimi i aktgjykimit të Apelit dhe kthimi i lëndës për rivendosje hapin përsëri mundësinë që ky proces të zvarritet pa fund”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Partia thekson se edhe në muajin dhjetor kishte paralajmëruar për problemet që, sipas saj, janë shfaqur në këtë rast.

“Edhe në dhjetor paralajmëruam se ‘Durmo Turs’, bashkë me shumë raste të tjera, është dëshmi e gjallë e dështimit të sistemit. Pamë shtyrje të dyshimta, raporte mjekësore dhe moszbatim të vendimeve”, deklarojnë nga VLEN.

Sipas partisë, zvarritja e procedurave gjyqësore ka ndikuar edhe në besimin e qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë. VLEN pretendon se besimi në gjyqësor ka rënë në vetëm dy për qind dhe se një nga shembujt e zvarritjes është edhe superekspertiza për rastin e Llaskarcës.

“Besimi në gjyqësor, që ka rënë deri në dy për qind, nuk ra nga qielli. Vetëm superekspertiza për rastin e Llaskarcës qëndroi 315 ditë në Byronë për ekspertiza gjyqësore. Në krye të Byrosë ishte Valdet Xhaferi, funksionar i BDI-së. Pra, lënda nuk u zvarrit vetë”, thuhet në reagimin e partisë.

Nga VLEN kërkojnë reformim rrënjësor të sistemit gjyqësor, duke vlerësuar se procesi i reformave tashmë ka nisur me ministrin e ri të Drejtësisë.

“Gjyqësori duhet reformuar nga rrënjët dhe ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur mbarë këtë punë, me vendosmërinë që raste si Llaskarca të mos mbeten më peng i sistemit”, theksojnë nga VLEN.

Partia kërkon nga institucionet kompetente që arsyetimi i vendimit të publikohet sa më shpejt dhe që lënda të trajtohet me përparësi, pa krijuar mundësi për vonesa të reja procedurale.

“Kërkojmë publikimin e shpejtë të arsyetimit dhe trajtimin me përparësi të lëndës, pa lojëra të reja procedurale. Familjet e viktimave nuk duhet të kthehen përsëri në pikën zero”, përfundon reagimi i partisë VLEN.

MARKETING