(VIDEO) Rezultatet e PISA-s, Hajdari: Rrezikojmë të prodhojmë profesionist me diploma, por pa dije

(VIDEO) Rezultatet e PISA-s, Hajdari: Rrezikojmë të prodhojmë profesionist me diploma, por pa dije

Rezultatet e dobëta në testimet PISA 2025 janë alarmi për një sistem arsimor që prodhon nota, por jo gjithmonë dije. Kështu ka vlerësuar profesoresha universitare Ajtene Hajdari Qamili, e cila thotë se këto rezultate janë shumë shqetësuese. Ajo thotë se hendeku mes suksesit të shkruar në dëftesë dhe njohurive reale të nxënësve po bëhet gjithnjë e më shqetësues. Qamili paralajmëron se pa ndërhyrje serioze të familjes dhe institucioneve, pyetja nuk është vetëm sa dinë nxënësit sot, por çfarë profesionistësh do të kemi nesër. Ajo thekson se për këtë çështje është folur  shumë më herët nga akademikët por sipas saj nuk janë marrë masat e nevojshme as nga institucionet e as nga familja. Qamili potencoi se keqpërdorimi I teknologjisë nga të rinjtë e vendit është poashtu faktor kyç I këtij mos-suksesi të vendit

PROF.DR.AJTENE HAJDARI QAMILI- PROFESORESHË UNIVERZITARE

“E kemi parasysh që teknologjia ndihmon për shumë çështje, tani edhe intelegjenca artificiale megjithatë jo të keqpërdoret dhe për gjërat elementare të drejtohemi në internet sepse kjo e sjellë atë analfabetizimin funskional që nxënësit llogariten që i njohin shkronjat por në fakt nuk janë në gjendje ta kuptojnë ato që e lexojnë dhe pastaj akoma më pak ta vënë në zbatim atë që e kanë për njohuri”.

Qamili më tej thotë se përveç familjes është shteti ai që duhet të çojë alarmin më të madh dhe ministria e arsimit dhe shkencës ti marrë të gjitha masat parandaluese për të përmirësuar gjendjen e arsimit. Duke folur për reformat dhe ndryshimet në arsim, të cilat janë bërë viteve të fundit Qamili thotë se llojet e reformave nuk kanë qenë të qëlluara dhe se jo secila reformë është e përshtatshme për mentalitetin e popullit që jeton në RMV.

PROF.DR.AJTENE HAJDARI QAMILI- PROFESORESHË UNIVERZITARE

“Unë e di që dekadat e fundit ministria është përpjekur të ndryshojë plan programet, të ndryshojë librat për të mirën e fëmijëve por është vërejtur që jo githmonë ndryshimet e planprogrameve kanë dhënë efekt pozitiv sepse çdo ndryshim i madh, rrënjësor, bën që mësimdhënësit të mos mund të adaptohen dhe akoma më shumë edhe vetë nxënësit ose  thjesht të dalë ajo si eksperiment duke ndryshuar një planprogram nga një planprogram tjetër dhe vetëm vazhdimisht tranzicion tranzicion”.

Profesoresha Ajtene Hajdari Qamili tha se nëse sot nuk ndërmerren masa për ta ndryshuar këtë gjendje, nesër pasojat do ti ndjejë e gjithë shoqëria, sepse siç thotë ajo një sistem që nuk arrin të edukojë dhe të formojë brezat e rinjë, rrezikon të prodhojë profesionistë me diploma, por pa njohuritë që kërkon profesioni i tyre.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING