(VIDEO) Qeveria: S’ka bisedime me BDI-në për zgjedhje të parakohshme

(VIDEO) Qeveria: S’ka bisedime me BDI-në për zgjedhje të parakohshme

Deklarata e fundit e nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka nxitur reagimet e dy partive më të mëdha maqedonase. Kryetarja e unionit të grave të VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva ka mohuar në mënyrë kategorike pretendimet e Osmanit se po zhvillohen komunikime për zgjedhje të parakohshme.

Marija Miteva, VMRO – DPMNE

“Absolutisht nuk kemi asnjë lloj komunikimi me BDI-në, më së paku me Bujar Osmani. Është e dukshme se dëshiron të jetë aktiv, ndërsa nëse nuk është provokim etnik, atëherë përhap të pavërteta”.

Ndërkaq, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, duke komentuar deklaratën e Osmanit, tha se me këtë u vërtetuan pohimet e partisë opozitare se, VMRO dhe BDI kanë marrëveshje për zgjedhje. Ai më tej ka shtuar se, çështja e zgjedhjeve nuk është çështje e dëshirës së kryeministrit, por e marrëveshjeve dhe interesave politike.

Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së

“Ne jemi të gatshëm kur do që janë zgjedhjet. Por, nuk do të japim arsye për këtë, sepse zgjedhjet nuk janë çështje e dëshirës së kryeministrit, i cili tani ka shumicë të madhe prej dy të tritave të Parlamentit, i cili duhej dhe kishte mundësi të përfundojë çështje kruciale për qytetarët dhe për shtetin, por ai zgjodhi të mos bëjë asgjë”.

Kujtojmë se, Osmani gjatë një emisioni në TV 21, tha se tashmë ka pasur komunikim mes partive politike për zgjedhjet parlamentare në forma të ndryshme dhe se, sipas vlerësimit të tij, në VMRO-DPMNE nuk ka ndonjë rezistencë të madhe ndaj idesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas vlerësimit të tij, zgjedhje të parakohshme mund të ketë pranverën e ardhshme.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING