Lufta Rusi-Ukrainë, kreu i CIA-s mund të marrë rol kyç në negociatat për paqe

Lufta Rusi-Ukrainë, kreu i CIA-s mund të marrë rol kyç në negociatat për paqe

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, mund të marrë një rol shumë më të madh në përpjekjet e administratës së Donald Trumpit për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Sipas një raportimi të publikuar nga Financial Times, Shtëpia e Bardhë po shqyrton ndryshimin e mënyrës se si po zhvillohen negociatat, duke rritur përfshirjen e Ratcliffe dhe duke reduktuar atë të të dërguarit special Steve Witkoff dhe këshilltarit Jared Kushner.

Megjithatë, vendimi përfundimtar ende nuk është marrë nga presidenti Trump.

Burimet e cituara nga Financial Times bëjnë të ditur se zyrtarë pranë Ratcliffe u kanë përcjellë homologëve evropianë se kreu i CIA-s mund të përfshihet më shumë në të ashtuquajturën “shuttle diplomacy” – kontaktet dhe udhëtimet diplomatike mes Moskës dhe Kievit me synim afrimin e qëndrimeve të dy palëve.

Në këtë skenar, Ratcliffe do të vazhdonte edhe kontaktet me shërbimet e inteligjencës ruse dhe ukrainase, kanale që tashmë i ka përdorur.

Ndryshimi do të vinte pas një periudhe ku negociatat e udhëhequra nga Witkoff dhe Kushner nuk kanë sjellë ende një marrëveshje për përfundimin e luftës.

Sipas Financial Times, brenda administratës amerikane ka nisur edhe një përplasje për ndarjen e përgjegjësive dhe rolin kryesor në këtë proces.

Witkoff pritet të mbetet i angazhuar në përpjekjet diplomatike amerikane, ndërsa Kushner mund ta zhvendosë një pjesë të vëmendjes së tij drejt çështjeve të Lindjes së Mesme, përfshirë Gazën dhe Iranin.

Ratcliffe tashmë ka hapur një kanal të drejtpërdrejtë me Moskën.
Më 25 gusht, drejtori i CIA-s udhëtoi në mënyrë të paparalajmëruar në Moskë, ku zhvilloi kontakte me zyrtarë të inteligjencës ruse. Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, Sergei Naryshkin, më vonë konfirmoi se ishte takuar me Ratcliffe dhe se kishin diskutuar çështje që lidhen me punën e shërbimeve të inteligjencës.
Ratcliffe u bë kështu drejtori i parë i CIA-s që dihet se ka vizituar Moskën që nga William Burns në vitin 2021. Vizita e tij u zhvillua në një kohë kur përpjekjet e Uashingtonit për të afruar Moskën dhe Kievin kishin ngecur.

Edhe New York Times raportoi se kanali i Ratcliffe me zyrtarët e inteligjencës ruse funksionon paralelisht me kanalet që Witkoff dhe Kushner kanë krijuar me zyrtarë të afërt me Vladimir Putinin.

Ndërkohë, Witkoff dhe Kushner zhvilluan ditët e fundit takime me Putinin në Moskë dhe më pas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev, në përpjekje për t’i rikthyer negociatat në binarë. Reuters raportoi se administrata Trump po përpiqet të ringjallë procesin diplomatik pas muajsh ngecjeje.

Sipas Financial Times, zyrtarët ukrainas nuk kanë shfaqur kundërshtim ndaj një roli më të madh të Ratcliffe. Për Kievin, çështja kryesore nuk është se kush e udhëheq ekipin amerikan, por pozicioni i Moskës dhe kërkesat e saj në negociata.

Nëse Trump e miraton ndryshimin, Ratcliffe do të bëhej një nga figurat kryesore të SHBA-së në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, duke kombinuar rolin e tij në inteligjencë me kanalet e drejtpërdrejta që tashmë ka me palën ruse.

Por, për momentin, bëhet fjalë vetëm për një ndryshim që po shqyrtohet dhe jo për një vendim të marrë nga Shtëpia e Bardhë.

MARKETING