Autostrada Ohër-Kërçovë pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2027
Autostrada Ohër-Kërçovë pritet të jetë plotësisht funksionale në gjysmën e parë të vitit 2027, njoftoi sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski.
Sipas tij, pjesa më e vështirë e projektit, në aksin Presekë-Kërçovë, përkatësisht segmenti Izvor-Vërbjan, me gjatësi rreth 10 kilometra, pritet të vihet në funksion gjatë muajve të ardhshëm.
Ky segment përfshin një sërë veprash infrastrukturore komplekse, mes tyre tunelin e Presekës, disa galeri, ura dhe viadukte.
“Autostrada Ohër-Kërçovë po ndërtohet intensivisht. Seksioni deri në aeroport është përfunduar tashmë dhe në aeroport mund të arrihet me autostradë, deri te një kryqëzim i ri që është rregulluar bukur. Po punojmë intensivisht për përfundimin e autostradës”, deklaroi Nikolloski.
Ai shtoi se hapja e segmentit më të vështirë pritet të bëhet në muajt e ardhshëm, ndërsa synimi është që e gjithë autostrada të hapet për qarkullim gjatë gjysmës së parë të vitit 2027.
“Pres që e gjithë autostrada të hapet gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, po vazhdojmë të punojmë edhe në seksionet e mbetura, të cilat do të lidhen me Shkupin dhe aeroportin e Shkupit”, tha ministri.
Autostrada Kërçovë-Ohër është në ndërtim që nga viti 2014 dhe konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

