Finlanda përfundon 200 kilometrat e murit përgjatë kufirit me Rusinë
Finlanda ka përfunduar zyrtarisht ndërtimin e rreth 200 kilometrave të gardhit përgjatë kufirit lindor me Rusinë, në një prej projekteve më të mëdha të sigurisë kufitare në Evropë.
Njoftimi u bë të hënën pranë pikës kufitare Nuijamaa, në juglindje të Finlandës, ku ministrja e Brendshme, Mari Rantanen, tha se në të ardhmen mund të shqyrtohet edhe zgjerimi i barrierës.
“Është mirë që në një moment të vlerësojmë nëse nevojitet edhe më shumë. Ajo që na duhet veçanërisht është financimi i BE-së për shtetet anëtare lindore”, deklaroi Rantanen.
Kufiri Finlandë-Rusi është rreth 1,340 kilometra i gjatë, duke qenë kufiri më i gjatë tokësor që një vend anëtar i BE-së ose NATO-s ndan me Rusinë.
Qeveria finlandeze e konsideron ndërtimin e gardhit një masë të domosdoshme për sigurinë kombëtare, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe rritjes së shqetësimeve për operacionet hibride dhe presionin në kufijtë evropianë.
“Çdo shtet duhet të kujdeset për sigurinë e tij dhe paprekshmërinë e kufijve”, tha ministrja finlandeze, transmeton Telegrafi.
Pjesa më e madhe e gardhit është ndërtuar në juglindje të vendit, ku shtrihen rreth 140 kilometra. Rreth 35 kilometra të tjera ndodhen në rajonin e Karelisë së Veriut, ndërsa rreth 25 kilometra shtrihen në Kainuu dhe Laplandën finlandeze.
Projekti, që kushton rreth 380 milionë euro, nisi me një fazë pilot pranë Imatrës në prill 2023 dhe është përfunduar pak përpara afatit të planifikuar.
Masa lidhet edhe me shqetësimet e Helsinkit për “migracionin e instrumentalizuar” – përdorimin e flukseve të migrantëve si mjet presioni politik ose hibrid.
Finlanda mbylli kufirin me Rusinë në fund të vitit 2023, pasi akuzoi Moskën se po lejonte ose nxiste ardhjen e azilkërkuesve drejt pikave kufitare.
Ndërkohë, qeveria finlandeze ka propozuar zgjatjen edhe për dy vite të tjera të ligjit për sigurinë kufitare, i cili synon të forcojë mbrojtjen e kufirit dhe të përgatitë vendin për skenarët më seriozë të presionit hibrid.
Me përfundimin e 200 kilometrave të barrierës, Finlanda po dërgon një sinjal të qartë se kufiri i saj lindor me Rusinë tashmë trajtohet si një çështje e sigurisë strategjike të Evropës.

