Turqia dhe 7 vende dënojnë thirrjet e ministrave izraelitë për të zhvendosur palestinezët nga Gaza

Turqia dhe 7 vende dënojnë thirrjet e ministrave izraelitë për të zhvendosur palestinezët nga Gaza

Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe të dielën dënuan ashpër deklaratat e fundit të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, lidhur me zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Ministria e Jashtme e Turqisë, ministrat dënuan propozimet për plane dhe mekanizma për largimin me forcë të palestinezëve nga toka e tyre, duke thënë se një retorikë e tillë shkel të drejtën ndërkombëtare dhe kërcënon të drejtat e popullit palestinez.

“Deklarata dhe propozime të tilla nxitëse shkelin në mënyrë flagrante parimet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj të drejtave legjitime dhe të patjetërsueshme të popullit palestinez”, thanë ministrat.

Ministrat rikonfirmuan “refuzimin dhe dënimin e tyre të prerë” të çdo përpjekjeje apo plani për zhvendosjen e palestinezëve, qoftë brenda apo jashtë Territorit të Pushtuar Palestinez, pavarësisht justifikimit të paraqitur.

Ata paralajmëruan se shndërrimi i thirrjeve për zhvendosje të detyruar në politikë zyrtare apo masa konkrete për çrrënjosjen e palestinezëve nga trojet e tyre do të kishte pasoja të rënda rajonale.

Sipas tyre, veprime të tilla do të sfidonin drejtpërdrejt përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e paqes, përfshirë Planin Gjithëpërfshirës të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, i cili e kundërshton shprehimisht zhvendosjen e detyruar.

Ministrat theksuan se Gaza është pjesë integrale e Territorit të Pushtuar Palestinez dhe bënë thirrje për ruajtjen e unitetit territorial palestinez në Gaza dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Kudin Lindor.

Ata përsëritën mbështetjen e tyre për zgjidhjen me dy shtete si rruga e vetme drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, me një shtet të pavarur palestinez të bazuar në kufijtë e 4 qershorit 1967 dhe Kudsin Lindor si kryeqytet, në përputhje me rezolutat përkatëse ndërkombëtare.

Ministrat i bënë gjithashtu thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të përballet me përpjekjet për krijimin e një realiteti të ri demografik apo gjeografik në Territorin e Pushtuar Palestinez dhe të sigurojë respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

Ata rikonfirmuan mbështetjen e tyre që palestinezët të qëndrojnë në tokat e tyre dhe kundërshtuan përpjekjet për të “fshirë çështjen palestineze ose për të cenuar të drejtat legjitime të popullit palestinez”.

MARKETING