Zelenskyy: Të dërguarit e SHBA-së do të vizitojnë Kievin të dielën pas bisedimeve në Moskë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi të premten se i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, do të vizitojnë kryeqytetin ukrainas, Kiev, të dielën, pasi të vizitojnë kryeqytetin rus, Moskën, transmeton Anadolu.
Në një videomesazh të publikuar në mbrëmje, Zelenskyy tha se Ukraina ka marrë nga pala amerikane detajet lidhur me agjendën e Witkoffit dhe Kushnerit dhe se pala ukrainase po përgatitet për vizitën e të dërguarve në Kiev.
Zelenskyy tha se Kievi nuk do të ndërmarrë sulme gjatë vizitës së Witkoffit dhe Kushnerit në Rusi dhe i bëri thirrje Moskës që të ndërmarrë hapa reciprokë në këtë drejtim kur të dërguarit të mbërrijnë në Ukrainë.
“Qëllimi ynë është që vizita dhe negociatat me palën amerikane të jenë sa më konstruktive dhe përmbajtësore. Duhet të kërkojmë mundësi reale për t’i dhënë fund kësaj lufte. Do të shohim se çfarë propozimesh kanë Steve dhe Jared dhe çfarë do t’u thotë Moska”, shtoi Zelenskyy.
Më herët të premten, uebfaqja e lajmeve Axios dhe agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportuan, duke cituar burime, se dy të dërguarit amerikanë do të vizitojnë Moskën dhe Kievin gjatë fundjavës.
Witkoff dhe Kushner nuk e kanë vizituar asnjëherë Kievin, ndërsa të dy kanë udhëtuar disa herë në Moskë që nga fillimi i bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja. Vizita e tyre e fundit ishte më 22 janar, kur u takuan me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin.
Washingtoni nuk ka komentuar zyrtarisht deklaratat e Zelenskyyt, ndërsa autoritetet ruse ende nuk e kanë konfirmuar vizitën e të dërguarve amerikanë në Moskë.

