(VIDEO) Paga minimale, Ministria e Ekonomisë e hapur për formulë të re të përllogaritjes
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi i është përgjigjur sot paralajmërimeve për presione sindikale sa i përket pagës minimale para harmonizimit të rregullt ligjor në mars të vitit të ardhshëm. Ai gjatë një brifindu me gazetarët tha se, Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës janë të hapura për dialog me partnerët socialë për ndryshimin e formulës së harmonizimit të pagës minimale, përllogaritjen e saj sipas pagës mesatre, si dhe për marrëveshje të reja kolektive, por të gjitha zgjidhjet duhet të miratohen mbi bazën e parametrave realë ekonomikë.
Ai njoftoi se çështja e lartësisë dhe mënyrës së përllogaritjes së pagës minimale së shpejti do të hapet për diskutim me partnerët socialë në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social.
Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë
“Në njërin prej Këshillave Ekonomikë-Socialë këtë vit, me siguri do të vendoset edhe kjo çështje në tryezë për t’u diskutuar. Le të biem dakord për marrëveshjen kolektive. Sepse ka institucione të caktuara ku një drejtues sektori merr pagë më të lartë se ministri ose më të lartë se dikush tjetër që punon shumë më tepër. Kur i shqyrtojmë këto kërkesa, ato përplasen me njëra-tjetrën. Le të ulemi dhe ta ndryshojmë formulën për përllogaritjen e pagës minimale”.
Durmishi informoi gjithashtu për dinamikën e zbatimit të masave nga agjenda e reformave, duke theksuar se Ministria e Ekonomisë dhe Punës deri tani ka përmbushur pesë hapa kyç, nga të cilët shteti pret të përfitojë rreth 20 milionë euro nga Bashkimi Evropian, pas marrjes së konfirmimit zyrtar.
Kujtojmë se, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon që paga minimale të rritet në 600 euro. Një kërkesa të ngjashme ka edhe partia opozitare LSDM, e cila ka paralajmëruar një propozim ligj të ri për pagën minimale.
Sipas formulës aktuale, përllogaritja e pagës minimale parashikon 50 për qind të shpenzimeve të jetesës dhe 50 për qind të rritjes së pagës mesatare, ndërkaq nga gjithsej 750 mijë të punësuar në vend, pagë minimale marrin rreth 30 mijë persona.
Anida Murati /SHENJA/

