Lëvizja Vetëvendosje i ka gati emrat për presidentin e ri të Kosovës
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, tha se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka emrat për presidentin e ri dhe se po presin kur do të mbahet takimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë kësaj jave, në mënyrë që proceset të ecin para, transmeton Anadolu.
Konjufca pas një seance gjyqësore ku u trajtua hedhja e gazit në Kuvendin e Kosovës, tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, janë gati për t’i propozuar emrat potencial për president të ri të Kosovës.
“Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin pastaj procesi i negociimit. Edhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati sepse javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha që kjo javë do të jetë java në të cilën ata do të takohen. Me sa kam marrë vesh unë, në Vetëvendosje kryeministri Kurti ende nuk ka një ftesë nga apo një diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave. Po kështu e ka përdorur gjuhën kryetari Abdixhiku, ka thënë: ‘këtë javë’. Prandaj ne jemi në pritje e sipër që kjo të ndodhë”, theksoi Konjufca.
Ai shtoi se kur të ndodhë takimi i radhës midis Kurtit dhe Abdixhikut do të jetë shumë afër marrëveshja për presidentin e Republikës së Kosovës.
“Do të takohen përmes propozimit të emrave konkretë dhe prej atyre emrave besoj se do të jetë presidenti ose presidentja e ardhshme e Kosovës”, tha Konjufca.
Lëvizja Vetëvendosje mund ta formojë e vetme Qeverinë e Kosovës por asaj i duhet mbështetja edhe nga një parti tjetër e madhe për zgjedhjen e presidentit të ri.
LDK gjatë këtij muaji kishte hequr dorë nga çdo kërkesë e saj si parti në të mirë të formimit të institucioneve të reja. LDK-ja ka thënë se do ta mbështesin me votë në Kuvend edhe emrin e ri për president, me kushtin që ai të jetë një president konsensual.

