Putin pranon se problemet në tregun e karburanteve në Rusi ende nuk janë zgjidhur plotësisht pas sulmeve të Ukrainës
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar se problemet në tregun e karburanteve në Rusi, të shkaktuara nga sulmet ukrainase, ende nuk janë zgjidhur plotësisht, transmeton Anadolu.
Duke folur në një intervistë për transmetuesin rus VGTRK, Putin tha se kryeministri Mikhail Mishustin po merret me pasojat e sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike.
“Vetëm pardje u takuam dhe diskutuam këtë çështje me kryeministrin. Po, ende nuk janë zgjidhur të gjitha çështjet, por ato po zgjidhen. Kryeministri po i mban këto çështje nën kontroll. Është krijuar një komision i posaçëm”, tha ai.
Putin gjithashtu pranoi se sulmet shkaktojnë dëme në infrastrukturën energjetike.
“Po, sigurisht që ka disa vështirësi për njerëzit, por qeveria, natyrisht, duhet ta mbajë këtë nën kontroll”, tha ai.
Presidenti rus tha se e kupton qëndrimin e kryeministrit polak, Donald Tusk, lidhur me gazsjellësin e Rrjedhës Veriore 2, i cili tha se Gjermania nuk duhet t’i ndjekë penalisht personat e akuzuar për hedhjen e tij në erë, duke theksuar se Polonia kishte humbur të ardhura të mundshme nga tranziti pasi traseja e projektit u zhvendos nga territori polak në Detin Baltik.
Sipas tij, plani fillestar kishte qenë që linja e dytë e gazit të ndërtohej përmes Polonisë, krahas gazsjellësit ekzistues Yamal-Evropë.
Presidenti rus tha se në territorin e Polonisë ishte ndërtuar madje edhe infrastruktura për trasenë e planifikuar, por më pas u mor vendimi që Rrjedha Veriore 2 të vendosej nën Detin Baltik për të zvogëluar rreziqet.
Si rezultat, tha ai, Polonia humbi të ardhurat e mundshme nga tranziti i hidrokarbureve ruse.
Putin akuzoi autoritetet ukrainase se e kanë bërë “ideologjinë neonaziste” një nga themelet e shtetit dhe tha se kjo ishte ndër arsyet e operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Ai tha se Rusia nuk do ta pranojë “lavdërimin e nazizmit” në Ukrainë, duke argumentuar se autoritetet e vendit nderojnë figura që kanë marrë pjesë “në vrasjet masive të polakëve, hebrenjve dhe rusëve”.
Putin përmendi gjithashtu Poloninë si shembull të një vendi që, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara me Moskën, ka ngritur shqetësime lidhur me lavdërimin e nazizmit në Ukrainë.
“Pavarësisht rusofobisë së njohur në politikën polake, autoritetet polake po i kushtojnë vëmendje serioze themeleve bazë të shtetësisë së sotme ukrainase”, tha ai.
Ai tha se autoritetet polake kanë mbajtur një qëndrim të vendosur për këtë çështje në përgjigje të shqetësimeve të publikut.
Veçmas, zv/kryeministri Alexander Novak tha për VGTRK se Rusia nuk po përballet me probleme në furnizimin me naftë dizel apo vajguri, ndërsa mungesat prekin vetëm benzinën.
“Rusia nuk ka probleme me furnizimin me naftë dizel dhe vajguri. Vështirësitë mbeten vetëm me benzinën”, tha ai.

