Turqia dhe 11 vende të tjera dënojnë sulmet ajrore izraelite ndaj bazës ushtarake siriane
Turqia dhe 11 vende të tjera kanë dënuar fuqishëm sulmet ajrore izraelite të kësaj jave ndaj bazës ajrore ushtarake Abu al-Duhur në veriperëndim të Sirisë, duke i cilësuar sulmet si një “përshkallëzim ekstrem” dhe shkelje të sovranitetit të vendit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Turqisë, Algjerisë, Indonezisë, Jordanisë, Libanit, Malajzisë, Mauritanisë, Pakistanit, Palestinës, Katarit, Arabisë Saudite dhe Somalisë thanë se sulmet përbëjnë “shkelje flagrante të sovranitetit, integritetit territorial dhe unitetit politik” të Sirisë.
Ministrat shprehën shqetësim të thellë për sulmet e vazhdueshme dhe dëmtimin e territorit dhe infrastrukturës siriane, duke paralajmëruar se veprime të tilla rrezikojnë të minojnë përpjekjet për rivendosjen e sigurisë, rindërtimin e institucioneve kombëtare dhe trajtimin e pasojave humanitare të konfliktit shumëvjeçar.
Ata paralajmëruan gjithashtu se shkeljet e vazhdueshme izraelite të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej tensionet, të minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe të cenojnë respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve të Kartës së OKB-së.
Ministrat i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbajë një “qëndrim të vendosur, të qartë dhe parimor” kundër sulmeve të vazhdueshme ndaj Sirisë dhe të ndërmarrë hapa konkret, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, për t’u dhënë fund shkeljeve.
Ata kërkuan respektimin e plotë të Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974 dhe tërheqjen e forcave izraelite nga zonat që kanë pushtuar, duke theksuar se hapa të tillë janë të nevojshëm për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin rajonal.
Ministrat riafirmuan nevojën për respektimin e sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe unitetit politik të Sirisë dhe hodhën poshtë çdo përpjekje për t’i cenuar ato.

