Hamasi: Përshkallëzimet izraelite në Xhaminë Al-Aksa nuk do ta ndryshojnë karakterin islam të saj

Hamasi: Përshkallëzimet izraelite në Xhaminë Al-Aksa nuk do ta ndryshojnë karakterin islam të saj

Hamasi ka deklaruar se masat e reja izraelite në Xhaminë Al-Aksa në Kuds, përfshirë lejimin e librave hebrenj të lutjeve dhe lutjeve të organizuara publike brenda kompleksit të xhamisë, “nuk do të kenë sukses në ndryshimin e identitetit islam të xhamisë”, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Grupi palestinez ka reaguar në 57-vjetorin e sulmit me zjarr të vitit 1969 ndaj vendit të shenjtë dhe disa ditë pasi policia izraelite lejoi futjen e librave hebrenj të lutjeve në kompleksin e xhamisë.

“Planet e pushtimit [izraelit] nuk do të kenë sukses në judaizimin e Xhamisë Al-Aksa, ndryshimin e karakteristikave të saj, fshirjen e identitetit të saj, ndarjen e saj në aspektin kohor apo hapësinor ose legjitimimin e ritualeve talmudike në oborret e saj”, tha Hamasi.

Grupi shtoi se vendimi i ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për të lejuar futjen e librave hebrenj të lutjeve në kompleksin e xhamisë dhe për të lejuar lutjet e organizuara publike në oborret e saj përbën një “hap përshkallëzues” kundër “shenjtërisë dhe identitetit historik islam” të këtij vendi.

Javën e kaluar, sipas raportimeve izraelite, policia izraelite lejoi një grup hebrenjsh fetarë të sillnin libra lutjesh në kompleksin e xhamisë, pasi që nga janari kishte lejuar futjen e fletëve të shtypura me lutje.

Ben-Gvir më vonë e konfirmoi këtë veprim.

Ndërkohë, policia izraelite thotë se ky vend, i cili shpesh është vatër tensionesh, menaxhohet në përputhje me udhëzimet e nivelit politik, procedurat dhe vlerësimet në terren.

Vitet e fundit, kufizimet e kahershme që ua ndalonin hebrenjve kryerjen e lutjeve ose futjen e sendeve fetare në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa janë lehtësuar gradualisht.

Në fund të korrikut, qindra hebrenj fetarë kryen lutje publike brenda kompleksit të xhamisë në praninë e ministrit Ben-Gvir.

Hamasi tha se sulmi me zjarr i vitit 1969 përbënte një “pikë kthese të rrezikshme në sulmet e vazhdueshme ndaj Kudsit, Xhamisë Al-Aksa dhe identitetit të saj islam”.

“Ajo që po përjeton sot Al-Aksa, përfshirë hyrjet e dhunshme, ritualet talmudike dhe përpjekjet për të imponuar realitete të reja në oborret e saj, është vazhdimësi e atij krimi”, shtoi grupi.

Grupi u bëri thirrje palestinezëve në Kuds, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe brenda Izraelit që “të forcojnë praninë dhe qëndrueshmërinë e tyre në Al-Aksa dhe të kundërshtojnë planet e pushtimit për të imponuar realitete të reja atje”.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve arabe dhe muslimane, udhëheqësve, popujve dhe organizatave që “të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre historike ndaj Kudsit dhe Al-Aksas”, të bashkojnë përpjekjet për të ndalur shkeljet izraelite dhe të mbështesin palestinezët në qytet.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se në kohët e lashta aty ndodheshin dy tempuj hebrenj.

Më 21 gusht të vitit 1969, Dennis Michael Rohan, një shtetas australian, i vuri zjarrin sallës së lutjeve Al-Kibli të xhamisë, duke shkatërruar minberin e Salahudinit dhe pjesë të çatisë së sallës, si dhe duke shkaktuar dëme të mëdha.

Pas incidentit, më 25 shtator të vitit 1969 u mbajt në Rabat të Marokut samiti i parë islam, i cili çoi në themelimin e Organizatës së Konferencës Islamike, e njohur sot si Organizata e Bashkëpunimit Islam.

MARKETING