I kthehet publiku Shkëndijës, derbin me Strugën e luajnë të hënën

I kthehet publiku Shkëndijës, derbin me Strugën e luajnë të hënën

Është bërë i ditur orari për xhiron e katërt në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, ku kësaj radhe do të luhet në tri ditë. Derbi shqiptar ndërmjet Shkëndijës dhe Strugës është përcaktuar të luhet të hënën e 24 gushtit në kompleksin e FFM-së, duke nisur nga ora 19:00. Pas dy ndeshjeve të para si vendas të zhvilluara pa praninë e tifozëve, për shkak të dënimit të shqiptuar pas ngjarjeve në finalen e Kupës sezonin e kaluar, Shkëndija e Tetovës këtë herë do të ketë mbështetjen e publikut, pasi dënimi tashmë është përmbushur. Ndërkohë, xhiroja do të hapet të premten me ndeshjen Skopje – Tikveshi nga ora 17:00, ndërsa në të njejtën ditë Bregallnica në Shtip do të pretë Bashkimin nga ora 19:00. Ndeshja e vetme e së shtunës është përballja mes Shkëndijës së Haraçinës dhe Arsimit, e caktuar për në orën 16:30, ndërsa të dielën nuk do të zhvillohet asnjë ndeshje e Ligës së Parë. Të hënën përveç Shkëndijës dhe Strugës, do të luhet edhe Vardari – Sileksi në “Todor Proeski” nga ora 17:00. Pas tri xhirove të zhvilluara në sezonin e ri, lider është Shkëndija me 9 pikë, ndërsa vendin e dytë e ndajnë Sileksi dhe Struga me nga 7 pikë. /SHENJA/

MARKETING