BDI: VLEN-it ia dhanë ministrinë, por kulturën vazhdon ta drejtojë VMRO-DPMNE
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj emërimit të ish-ministrit të Kulturës, Zoran Ljutkov, në pozitën e koordinatorit nacional për kulturë, duke vlerësuar se ky vendim tregon, sipas tyre, peshën reale të koalicionit VLEN brenda Qeverisë.
Nga BDI theksojnë se, pas rikonstruimit të kabinetit qeveritar, Ministria e Kulturës iu besua përfaqësuesve të VLEN-it, por sipas tyre, drejtimi i politikave kulturore vazhdon të mbetet nën kontrollin e VMRO-DPMNE-së.
“Emërimi i ish-ministrit Zoran Ljutkov për koordinator nacional për kulturë tregon sa peshë ka realisht VLEN-i brenda Qeverisë. Pas rikonstruimit, Ministria e Kulturës iu dorëzua atyre, ndërsa sot drejtimi politik i këtij sektori iu kthye Ljutkovit përmes një funksioni të krijuar në Qeveri”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, megjithëse VLEN mban postin e ministrit dhe emëron bashkëpunëtorët e tij në sektorin e kulturës, vendimmarrja kryesore dhe përcaktimi i prioriteteve strategjike vazhdojnë të jenë në duart e partnerit më të madh qeveritar.
“Ministria për VLEN-in, kultura për Ljutkovin”, thuhet në reagimin e BDI-së, nga ku shtojnë se ky është, sipas tyre, “poshtërimi i radhës” që pranohet në heshtje nga partnerët shqiptarë në Qeveri.
BDI vlerëson se emërimi i Ljutkovit dëshmon se kontrolli mbi politikat kulturore mbetet te VMRO-DPMNE, pavarësisht ndryshimeve kadrovike të bëra pas rikonstruimit të kabinetit qeveritar.

