(VIDEO) Opozita shqiptare: Janevska relativizon të drejtat e shqiptarëve
Deklarata e ministres së arsimit dhe shkencës Vesna Janevska se parimi i Badenterit po keqpërdoret si mjet politik ka nxitur reagime të shumta në skenën politike. Nga Lidhja Shqiptare thonë se vendimet e fundit kokë në vete të ministres Janevska dhe deklaratat e saj publike në të cilat vërehet qartë tendenca për të injoruar Badenterin dhe të sjellë ligjet për arsim sipas qejfit të tyre, dëshmojnë qartë hovin e Qeverisë aktuale kundër arsimit në gjuhën shqipe. Sipas tyre fillimisht pa debat publik, pa konsultim me ekspertë dhe autoritetet lokale dhe pa një analizë të mirëfilltë, vetëm me vendim të ministres është ulur numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në të gjitha komunat shqiptare.
LIDHJA SHQIPTARE
“Edhe më skandaloze është deklarata për të sjellë ligjet për arsim të lartë pa Badenter që në gjuhën e thjeshtë përkthehet pa i pyetur shqiptarët..Këto veprime nuk çojnë askund tjetër vetëm se në vitet e 90-ta kur pushteti njëjtë ndalonte ndërsa shqiptarët kërkonin shkolla shqipe, fakultetin pedagogjik dhe universitetin në gjuhën amtare, për çka kemi edhe dëshmorë”.
Edhe Aleanca për shqiptarët ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratësim lidhur me deklaratën e Janevskës për të cilën thonë se ka relativizuar një nga mekanizmat themelorë kushtetues për garantimin e barazisë ndërmjet komuniteteve në vend. Ata thonë se Janevska e përshkruan Badenterin si një “vegël” për mbrojtjen e të drejtave të “bashkësive etnike më të vogla”, ndërsa më pas, duke folur për zbatimin e këtij mekanizmi, i referohet pikërisht partive ku anëtarësohen shumica e shqiptarëve.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Kjo gjuhë dhe kjo qasje janë të papranueshme.Shqiptarët nuk janë një “bashkësi e vogël” të cilës dikush në Qeveri i bën nder duke ia respektuar të drejtat. Shqiptarët janë popull shtetformues, një nga dy komunitetet më të mëdha në vend dhe faktor kyç në ndërtimin e shtetit dhe të rendit të tij kushtetues”.
Reagim lidhur me këtë pati edhe nga BDI të cilët thanë se deklarata e ministres Janevska përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj njërës prej shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit. Partitë opozitare fajësojnë VLENIN në pushtet për heshtje ndaj këtyre deklaratave siç thonë ata fyese për shqiptarët.
Ministrja Vesna Janevska së fundmi ka deklaruar se nuk është në rregull që shumica e Badenterit të përdoret si mjet për arritjen e zgjidhjeve politike, pikërisht përmes arsimit dhe se nuk duhet të kërkohet badenter aty ku nuk duhet. Ajo i referohet tre ligjeve që janë në procedurë parlamentare , Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë e cila kërkon zbatimin e parimit të Badenterit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

