Shkëndija sonte luan ndaj Bravos në Lubjanë
Shkëndija e Tetovës do të luajë sonte ndaj skuadrës Bravo në kuadër të xhiros së dytë kualifikuese në Ligën e Konferencës. Kuqezinjtë kanë kryer të gjitha përgatitjet e duhura dhe mbrëmë kanë zhvilluar stërvitjen e fundit zyrtare në stadiumin “Stozhice”, aty ku sonte do të luhet ndeshja. Skuadra e drejtuar nga trajneri Artim Pollozhani synon ta mbajnë kualifikimin krejtësisht të hapur ose në avantazh për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme në arenën “Todor Proeski” në Shkup. Kjo është hera e dytë që Shkëndija luan në kupat e Evropës përballë një rivali nga Sllovenia, pas përballjes së vitit 2021 kundër ekipit Mura në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Te skuadra shqiptare, portieri Gaje dhe mbrojtësi Anes Meliqi janë në dyshim për shkak të dëmtimeve dhe me shumë gjasa nuk do të jenë në kombinim për ndeshjen e sotme, teksa Sebastian Spahiu është kthyer në stërvitje me intensitet maksimal dhe do të jetë në kombinim për lojë. Dueli ndërmjet Bravos dhe Shkëndijës do të zhvillohet sonte, duke nisur nga ora 20:45.

