(VIDEO) Levica dhe LSDM akuzojnë pushtetin për kontroll mbi gjyqësorin
“Besimi në sistemin gjyqësor në këtë vend po mbahej gjallë me aparate. Rasti “Talir 2” ia fiku aparatin publikisht, para gjithë opinionit. Lirimi i Nikolla Gruevskit në rastin “Talir 2” dhe refuzimi i konfiskimit të “Pallatit të Bardhë” është larg të qenit një epilog i pastër juridik”. Kështu vlerëson Levica duke shtuar se rezultati përfundimtar ishte i njohur edhe para se të lexohej aktgjykimi.
LEVICA
“Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, Nenad Saveski, në një nga veprimet e tij të para pas marrjes së detyrës, ia hoqi kompetencat prokurores që për vite me radhë kishte punuar në lëndët ‘Talir’. Ky veprim nuk u mbështet kurrë me ndonjë argument të arsyeshëm, sepse nuk ekzistonte. Ky ishte largimi i pengesës së vetme mes VMRO-së dhe pronës për të cilën Mickoski qante pa turp para publikut”.
Levica pretendon se për VMRO-DPMNE-në, i akuzuari Nikolla Gruevski ishte çështje dytësore, pasi ndjekja penale ndaj tij gjithsesi do të parashkruhej. Sipas tyre, fokusi kryesor ishte selia e partisë.
Edhe LSDM ndan të njëjtin mendim, se Kryeministri Hristijan Mickoski kontrollon gjyqësorin. “Ky nuk është shtet juridik. Ky është një sistem i kontrolluar në të cilin Hristijan Mickoski vendos se kush është mbi ligjin dhe kush do të përndiqet”, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, duke shtuar se aktgjykimi lirues për Nikola Gruevskin, kthimi i Pallatit të bardhë I fituar në mënyrë të paligjshme nga VMRO, lirimi i Latasit janë dëshmi se sistemi i drejtësisë është vënë nën kontrollin politik të Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Kjo është edhe një dëshmi e qartë se Hristijan Mickoski drejton drejtpërdrejt Prokurorinë dhe sistemin e drejtësisë. Nuk ka drejtësi. Ka një gjyqësor të kontrolluar, që shërben si mjet në duart e Mickoskit. Kur bëhet fjalë për persona të afërt me VMRO-DPMNE-në ose me vetë Mickoskin, aktakuzat zhduken, procedurat dështojnë dhe aktgjykimet shndërrohen në amnisti”.
Rasti “Talir 2” lidhej me dyshimet për ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së dhe financimin e saj të kundërligjshëm. Pas rigjykimit, Gruevski u lirua nga akuzat, ndërsa konfiskimi i objektit u bë juridikisht shumë më i vështirë. Ish-prokurorja Lençe Ristoska paralajmëroi se zhvillimet në këtë rast e kufizojnë mundësinë që prokuroria të kërkojë konfiskimin e pronës së partisë në një procedurë të veçantë. /SHENJA/

