Kryeministri armen: Marrëveshja e paqes me Azerbajxhanin mund të nënshkruhet në vitet 2027-2028

Kryeministri armen: Marrëveshja e paqes me Azerbajxhanin mund të nënshkruhet në vitet 2027-2028

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ka deklaruar se marrëveshja e paqes me Azerbajxhanin fqinj, e cila është parafirme, mund të nënshkruhet në vitet 2027-2028, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve Armenpress, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me marrëveshjen gjatë një konference për media, Pashinyan tha se Jerevani duhet të vazhdojë punën me Bakunë.

Më 8 gusht 2025, Pashinyan dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, parafirmuan marrëveshjen dhe së bashku me presidentin amerikan, Donald Trump, nënshkruan një deklaratë të përbashkët në një samit në Shtëpinë e Bardhë.

Nisma synon t’u japë fund dekadave të konfliktit, përmes angazhimeve për ndërprerjen e armiqësive, rihapjen e rrugëve të transportit dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Në këtë kontekst, Pashinyan theksoi rëndësinë e zbatimit të projektit të korridorit të tranzitit “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP), i cili synon të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e tij autonome të Nakhçivanit përmes territorit jugor të Armenisë.

“Natyrisht, njëra nuk ka të bëjë me tjetrën, por ne tani po fillojmë zbatimin e projektit TRIPP”, tha Pashinyan.

Pashinyan tha se nuk e përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për miratimin e një Kushtetute të re. Ai shtoi se projektin e dokumentit të ri do ta publikojnë “në të ardhmen e afërt”, do të nisin diskutimet dhe më pas do ta paraqesin atë në parlament.

“Do të përpiqemi t’i bindim kolegët tanë të opozitës se kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe themelore, që lidhet me përcaktimin dhe zgjidhjen e çështjes së vazhdimësisë së shtetit armen. Do të përpiqemi t’i bindim. Nëse kjo nuk funksionon, do të ndjekim skenarë të tjerë, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, Pashinyan tha se vendi po hyn në fazën e zbatimit të projektit TRIPP. Gjatë një vizite pune në provincën më jugore të Armenisë, Syunik, ai tha se në të ardhmen e afërt do të krijohet një kompani zhvillimi për projektin.

“Praktikisht, tani jemi në fazën përfundimtare të krijimit të kompanisë dhe, pasi ajo të themelohet, puna e kryer, përfshirë kontributin tonë, do t’i transferohet kompanisë”, shtoi ai.

MARKETING