Turqia dhe Kanadaja nisin partneritet strategjik për të thelluar lidhjet tregtare, energjetike dhe të mbrojtjes
Turqia dhe Kanadaja kanë nisur një partneritet strategjik që synon forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e tregtisë, investimeve, energjisë, mbrojtjes, sigurisë dhe zhvillimit teknologjik, raporton Anadolu.
Njoftimi u bë pas takimit mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit kanadez, Mark Carney, në Kompleksin Presidencial në Ankara, ku presidenti turk e priti kryeministrin kanadez me një ceremoni zyrtare.
Liderët zhvilluan fillimisht bisedime dypalëshe, të pasuara nga diskutime mes delegacioneve të të dy vendeve dhe një konferencë e përbashkët për media.
– “Partneriteti Kanada-Turqi është thelbësor”
“Në një mjedis gjithnjë e më kompleks të sigurisë globale, me pasiguri gjeopolitike në rritje dhe sfida humanitare në zhvillim, një partneritet i fortë dhe i qëndrueshëm mes Kanadasë dhe Turqisë është thelbësor, duke ofruar një bazë për të zbutur kërcënimet e përbashkëta dhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja”, theksuan dy liderët në një deklaratë të përbashkët për partneritetin.
Duke u mbështetur në 83 vjet marrëdhënie diplomatike, theksohet në deklaratë, partneriteti synon të zgjerojë dialogun politik, të nxisë rritjen ekonomike dhe tregtinë, të avancojë zhvillimin teknologjik dhe të forcojë objektivat e përbashkëta të sigurisë.
Të dy vendet janë aleate në NATO dhe riafirmuan angazhimin e tyre ndaj të drejtave të njeriut, lirive individuale, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Liderët gjithashtu nisën një plan 3-vjeçar veprimi, të ndërtuar mbi katër shtylla, përkatësisht në tregti, investime dhe inovacion, në bashkëpunim në fushën e energjisë dhe klimës, në mbrojtje dhe siguri, si dhe në dialog midis qeverive dhe lidhjeve mes popujve.
– Tregtia, investimet dhe inovacioni
Në kuadër të shtyllës së parë, Kanadaja dhe Turqia ranë dakord të punojnë për përmbylljen me sukses të një marrëveshjeje dypalëshe të tregtisë së lirë dhe për zgjerimin e tregtisë dhe investimeve në sektorët me përparësi, përfshirë furnizimin me energji, prodhimin e pajisjeve të mbrojtjes, industrinë hapësinore dhe inteligjencën artificiale.
Ato u zotuan gjithashtu të ratifikojnë Marrëveshjen Kanada-Turqi për Transportin Ajror, të forcojnë bashkëpunimin mes agjencive të tregtisë dhe eksportit, përfshirë projektet në vende të treta, si dhe të nxisin bashkëpunimin mes ekosistemeve të tyre të inovacionit.
– Bashkëpunimi në fushën e energjisë dhe klimës
Të dy vendet u zotuan të avancojnë bashkëpunimin në sektorin energjetik, përfshirë gazin natyror të lëngshëm, energjinë bërthamore civile, energjinë e rinovueshme, teknologjitë e pastra dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike energjetike.
Plani parashikon gjithashtu nxitjen e investimeve, lehtësimin e dialogut mes aktorëve të sektorit bërthamor, forcimin e zinxhirëve të furnizimit për minierat e qëndrueshme dhe mineralet kritike, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit për qëndrueshmërinë klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Liderët mirëpritën deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin energjetik, për të cilën kishin rënë dakord ministrat përkatës të energjisë dhe burimeve natyrore të të dy vendeve.
Kanadaja gjithashtu mirëpriti rolin e Turqisë si vend pritës dhe kryesuese e Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31, që do të mbahet muajin e ardhshëm në qytetin jugor Antalya, duke filluar nga 9 nëntori.
Otava shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me presidencën turke për të siguruar suksesin e konferencës.
– Mbrojtja dhe siguria
Liderët u zotuan të thellojnë bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh në fushën e mbrojtjes, përfshirë përmes NATO-s, duke u mbështetur në deklaratën e qëllimit për bashkëpunimin në mbrojtje, të nënshkruar së fundmi.
Ata ranë dakord të forcojnë përpjekjet për mbështetjen e paqes dhe sigurisë në rajonin euroatlantik dhe më gjerë, përfshirë Ukrainën, Kaukazin Jugor dhe Lindjen e Mesme, veçanërisht Gazën.
Deklarata gjithashtu mirëpriti përfundimin e një memorandumi mirëkuptimi për partneritetet në sektorin e mbrojtjes mes Departamentit të Çështjeve Globale të Kanadasë dhe Sekretariatit të Industrive të Mbrojtjes të Turqisë.
Marrëveshja synon të lehtësojë zgjerimin e partneriteteve në industrinë e mbrojtjes dhe të avancojë diskutimet për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha me interes të përbashkët.
Liderët theksuan gjithashtu rëndësinë e nisjes së një dialogu për forcimin e ndihmës së ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe ekstradimin.
– Dialogu politik dhe lidhjet mes popujve
Në kuadër të shtyllës së katërt, të dy vendet ranë dakord të krijojnë një Dialog Strategjik vjetor Kanada-Turqi, duke vazhduar njëkohësisht takimet vjetore të komitetit të përbashkët ekonomik dhe tregtar, si dhe konsultimet politike-ushtarake dhe ato për luftën kundër terrorizmit.
Ato u zotuan gjithashtu të forcojnë bashkëpunimin për çështjet konsullore dhe migracionin, të shqyrtojnë masa për lehtësimin e udhëtimit dhe lëvizjes, si dhe të nxisin shkëmbimet kulturore dhe angazhimin me diasporat përkatëse.
Të dy liderët ranë dakord që ministrat e tyre të jashtëm të mbikëqyrin zbatimin e planit 3-vjeçar të veprimit, me synimin për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, promovimin e sigurisë ndërkombëtare dhe ndërtimin e ekonomive të begata të gjelbra.
Carney shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë të qeverisë turke gjatë vizitës së tij, e cila në deklaratën e përbashkët u cilësua si vizita e parë e një kreu qeverie nga njëri vend në tjetrin.
Turqia gjithashtu mirëpriti ftesën që presidenti Erdogan të vizitojë Kanadanë në një kohë të përshtatshme për të dyja palët.

