LSDM: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk janë kusht i BE-së, pretendimet e qeverisë janë manipulim
LSDM vlerëson se pretendimet se bllokimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor po e pengon Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian janë një manipulim i qëllimshëm.
Nga kjo parti theksojnë se Bashkimi Evropian nuk kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor të përshtatura sipas interesave të një force politike, por kërkon zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente, gjyqësor të pavarur dhe luftë efektive kundër korrupsionit.
Sipas LSDM-së, përmirësimi i legjislacionit zgjedhor është pjesë e reformave të përgjithshme, por propozimet aktuale të qeverisë nuk janë kërkesë e Bashkimit Evropian dhe nuk përbëjnë kusht për avancimin e negociatave për anëtarësim.
Partia opozitare pretendon se zgjidhjet e propozuara nga qeveria krijojnë hapësirë për manipulime në procesin zgjedhor, veçanërisht në votimin e diasporës. Sipas tyre, në vend që të mbrohet vullneti i qytetarëve, po ushtrohet presion për miratimin e ndryshimeve që, siç thonë, mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve.
LSDM gjithashtu akuzon VMRO-DPMNE-në se është përgjegjëse për ngecjen e reformave kyçe dhe për bllokimin e rrugës evropiane të vendit. Sipas partisë, zgjedhjet e ndershme janë një nga parakushtet për integrimin në BE, ndërsa çdo përpjekje për t’i lidhur ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor me procesin eurointegrues synon të mbulojë, siç thonë ata, mungesën e reformave dhe problemet me korrupsionin.

