Kasami nga Tirana: Nisën zyrtarisht punimet për rrugën Tetovë–Prizren

Kasami nga Tirana: Nisën zyrtarisht punimet për rrugën Tetovë–Prizren

Kanë nisur zyrtarisht punimet në terren për ndërtimin e segmentit të rrugës Tetovë–Prizren, që kalon mbi fshatin Shipkovicë. Lajmin e bëri të ditur nga Tirana kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për realizimin e një prej projekteve më të shumëpritura infrastrukturore.

Sipas Kasamit, Komuna e Tetovës dhe koalicioni VLEN do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet angazhimin për realizimin e plotë të projektit, deri në lidhjen rrugore me Kosovën.

“Një lajm i madh për Tetovën! Sot kanë nisur punimet në terren për segmentin e rrugës Tetovë–Prizren që kalon mbi fshatin Shipkovicë. Kjo pjesë e korridorit Tetovë–Prizren është e rëndësishme sepse me këtë po nisin punimet konkrete për realizimin e këtij projekti mbarëkombëtar. Besojmë se, me projektimin edhe të tunelit, ëndrra e shqiptarëve për t’u lidhur përmes Sharrit po bëhet realitet”, deklaroi Kasami.

Rruga Tetovë–Prizren ka qenë ndër premtimet më të përsëritura në ciklet zgjedhore ndër vite. Ndërkohë, në anën tjetër të kufirit, Kosova tashmë ka avancuar me hapjen e trasesë së rrugës në drejtim të kufirit me Maqedoninë e Veriut, duke krijuar kushte për realizimin e plotë të këtij projekti ndërkufitar.

MARKETING