(VIDEO) Filipçe: Nuk do të pranojmë mekanizma që rrezikojnë legjitimitetin e zgjedhjeve
Lideri i opozitës, Venko Filipçe, ka deklaruar se partia e tij nuk është kundër votimit të diasporës, por kundërshton modelin e propozuar nga Qeveria, duke vlerësuar se ai mund të cenojë sigurinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor. Sipas tij, çdo ndryshim në mënyrën e votimit duhet të mbështetet në analiza profesionale dhe në praktikat evropiane, e jo në interesa politike. Ai tha se pushteti nuk ka asnjë strategji për modernizimin e shtetit, por është tërësisht i përqendruar, sipas tij, në manipulimin e votave përmes propozimit për një model të ri të votimit të diasporës.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Mbështesim agjendën evropiane, por nuk do të pranojmë mekanizma që mund të rrezikojnë legjitimitetin e zgjedhjeve. Fakti që në projektligj është futur një nen që ndryshon mënyrën e votimit të diasporës dhe mund të hapë rrugë për dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, tregon se se për VMRO-DPMNE-në Evropa nuk është prioriteti i vërtetë.”
Përveç kritikave ndaj ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Filipçe akuzoi Qeverinë edhe për dështim në procesin eurointegrues. Ai deklaroi se Maqedonia e Veriut nuk është më pjesë e agjendës evropiane dhe po mbetet jashtë proceseve të integrimit për shkak të, siç tha ai, politikave të gabuara të kryeministrit Hristijan Mickoski.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Jemi peng i paaftësisë së Mickoskit për të ndërtuar një strategji shtetërore që do ta çojë vendin drejt anëtarësimit në BE. Jemi peng edhe i premtimeve të rreme me të cilat ai erdhi në pushtet dhe me të cilat vazhdon të qeverisë. E vetmja perspektivë që po i ofrohet vendit është izolimi”.
Filipçe shtoi se Maqedonia e Veriut po mbetet jashtë zhvillimeve evropiane dhe gjithnjë e më e ekspozuar ndaj ndikimeve dhe proceseve që, sipas tij, po e pengojnë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe ndikimet e aktorëve të jashtëm që nuk kanë interes për afrimin e rajonit me Evropën.
Samir Mustafa /SHENJA/

