Tronditet bota e futbollit: Vdes në moshën 25-vjeçare lojtari që sapo luajti në Kupën e Botës
Futbolli është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të mesfushorit të Afrikës së Jugut, Jayden Adams, i cili ka vdekur në moshën 25-vjeçare, vetëm pak javë pasi përfaqësoi vendin e tij në Kupën e Botës 2026.
Sipas raportimit të eNCA, Adams ka ndërruar jetë, ndërsa shkaku i vdekjes së tij ende nuk është bërë i ditur, ndonëse ekzistojnë dyshime që ai ka kryer vetëvrasje pasi sipas rrethit të tij të ngushtë, lojtari kishte kohë që vuante nga depresioni.
Policia e Afrikës së Jugut ka konfirmuar se ka nisur një hetim, pasi trupi i një 25-vjeçari u gjet të shtunën në mëngjes në një banesë në zonën Schotschekloof, në qendër të Kejptaunit.
Adams aktivizohej me Mamelodi Sundoëns, ndërsa gjatë Kupës së Botës zhvilloi tri paraqitje me Kombëtaren e Afrikës së Jugut, e cila u eliminua nga Kanadaja në fazën e 1/16 së finales.
Mesfushori iu bashkua Mamelodi Sundowns verën e kaluar, pasi u transferua nga klubi ku u formua si futbollist, Stellenbosch.
Pas debutimit me kombëtaren në vitin 2024, Adams u shndërrua shpejt në një lojtar të rëndësishëm për Afrikën e Jugut, duke lënë gjurmë si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
Ai fitoi një vend në listën për Kupën e Botës falë paraqitjeve të mira me klubin në kampionatin Betway Premiership, ku kontribuoi në tre gola gjatë 37 ndeshjeve në të gjitha garat.
Lajmi bëhet edhe më prekës pasi Federata e Futbollit e Afrikës së Jugut kishte bërë të ditur se Adams kishte luajtur në barazimin 1-1 ndaj Republikës Çeke vetëm një ditë pasi kishte humbur gjyshen e tij.

