MPB: 15 shoferë të arrestuar në 24 orë për shkelje të rënda në komunikacion
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit, nëpunësit policorë kanë privuar nga liria 15 shoferë për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjeteve, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, 10 prej tyre janë kapur duke drejtuar automjetin pa e kaluar provimin për patentë shofer. Nga këta, nga dy raste janë evidentuar në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ndërsa nga një në Prilep, Sveti Nikollë, Veles dhe Kavadar.
Katër persona janë ndaluar për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht nga një në Shkup, Manastir, Makedonska Kamenicë dhe Kavadar. Ndërkaq, në Tetovë është arrestuar një person që ka drejtuar automjetin pavarësisht masës së shqiptuar të ndalimit të drejtimit.
Nga MPB bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
Ministria u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat e trafikut, të mos drejtojnë automjet pa patentë, të mos vozisin nëse u është shqiptuar masë ndalimi ose janë nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.

