Partia Demokratike e Turqve iu bashkua koalicionit “Maqedonia Jote”
Shumica parlamentare e koalicionit “Maqedonia Jote”, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, po zgjerohet dhe tani numëron 59 deputetë. Partia Demokratike e Turqve të Maqedonisë e udhëhequr nga Bejxha Iljaz po i bashkohet këtij koalicioni, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski. Ai shtoi se komuniteti turk është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë, një popull që me punën, traditën dhe besnikërinë e tij ka kontribuar për dekada në zhvillimin e shtetit. Bashkëpunimi ynë, tha më tej Mickoski, është dëshmi se politikat e vërteta i bashkojnë njerëzit dhe nuk i ndajnë ata, dhe se kur ekziston një synim i sinqertë për të punuar në interes të qytetarëve, dallimet bëhen përparësia jonë. Ai theksoi se synimi i tij është që VMRO-DPMNE të jetë një forcë politike që bashkon, që i lidh njerëzit rreth vlerave të përbashkëta, zhvillimit të shtetit dhe përparimit ekonomik, sundimit të ligjit dhe një jete më të mirë për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë së tij etnike, fetare apo politike.
“Me nënshkrimin e Marrëveshjes për partneritet politik, bashkëpunim dhe mbështetje me Partinë Demokratike të Turqve të Maqedonisë, dërgojmë një mesazh të qartë se kur bëhet fjalë për interesat e qytetarëve dhe të ardhmen e shtetit, ekziston hapësirë për bashkim rreth vlerave, parimeve dhe qëllimeve të përbashkëta. Ky partneritet bazohet në besim, respekt të ndërsjellë dhe përkushtim të sinqertë për të punuar në interes të të gjithë qytetarëve”, deklaroi Mickoski. /SHENJA/

