MPB: Sistemi “One Stop” funksionon me Kosovën dhe Serbinë, së shpejti edhe me Shqipërinë
MPB njofton se kontrollet e përbashkëta kufitare One Stop tashmë funksionojnë në pikat kufitare me Serbinë dhe Kosovën, ndërsa me nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Shqipërisë po përmbyllet procesi i vendosjes së këtij sistemi modern me të gjithë fqinjët tanë të cilët nuk janë pjesë e zonës Shengen.
“Me zbatimin e sistemit One Stop, qytetarët përfitojnë një ndalesë të vetme, një kontroll të vetëm kufitar dhe kohë dukshëm më të shkurtër pritjeje, ndërsa shtetet përfitojnë menaxhim më efikas të kufijve, siguri më të madhe, më shumë tregti, turizëm dhe ndërlidhje rajonale”.
“Rezultatet tashmë janë të dukshme. Në Tabanoc, edhe pse këtë verë numri i udhëtarëve është rritur me 15 deri në 20 për qind, koha e pritjes është ulur ndjeshëm. Të njëjtën gjë e kemi mundësuar edhe në Bllacë – Hani i Elezit, ndërsa me vënien në funksion të sistemit në Jazhincë – Glloboçicë kemi përmbyllur zbatimin e kontrolleve të përbashkëta me Republikën e Kosovës”, thonë nga MPB.
Më tej theksojnë se marrëveshja e nënshkruar me Republikën e Shqipërisë është hapi i radhës me rëndësi.
“Së shpejti edhe atje do të vendosim sistemin One Stop, me ç’rast Maqedonia do të bëhet një nga vendet e para në rajon që do të ketë këtë model të kontrolleve të përbashkëta kufitare me të gjitha shtetet fqinje jashtë zonës Shengen”.
“Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukturor apo administrativ. Ky është një investim në komunikim më të shpejtë mes njerëzve, bashkëpunim më të fuqishëm ekonomik, lëvizshmëri më të madhe dhe kufij edhe më të sigurt. Ne vazhdojmë të ndërtojmë një Ministri të Punëve të Brendshme moderne, e cila zbaton zgjidhje evropiane që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe e bëjnë Maqedoninë më të lidhur, më të sigurt dhe më konkurruese”, thonë nga MPB.

