(VIDEO) Dimovska zgjidhet kryetare e gjykatës penale

(VIDEO) Dimovska zgjidhet kryetare e gjykatës penale

Me 11 vota “pro”, Këshilli Gjyqësor e zgjodhi Daniela Dimovskën si kryetaren e re të Gjykatës Themelore Penale – Shkup. Ajo mori gjithashtu katër vota “pro” gjatë votimit sipas parimit të Badenterit.

Si përparësi kryesore të kandidates, anëtarët e Këshillit që e mbështetën atë veçuan planin e saj të veprimit, qasjen vizionare në drejtimin e institucionit, kapacitetin për të avancuar pavarësinë dhe transparencën e gjykatës, si dhe rezultatet e arritura gjatë vitit të kaluar, ndërsa ushtronte detyrën e ushtrueses së detyrës së kryetares.

Vendimi u mor pas përfundimit të procedurës së shpalljes publike, në të cilën aplikuan dy kandidatë – Daniela Dimovska, gjyqtare dhe ushtruese e detyrës së kryetares së Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, dhe Ivica Stefanovski, gjyqtar në të njëjtën gjykatë.

Kryetari i Komisionit për Zgjedhje, Ivica Nikollovski, njoftoi se të dy kandidaturat ishin të rregullta dhe se kandidatët i kishin kaluar të gjitha fazat e parapara të procedurës, përfshirë testimet dhe intervistat.

Dimovska e kishte ushtruar tashmë për një vit funksionin e ushtrueses së detyrës së kryetares së gjykatës. Më parë, ajo ishte gjyqtare në Departamentin për Krim të Organizuar dhe Korrupsion pranë Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, ku trajtonte lëndë që kishin të bënin me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Me vendimin e sotëm, ajo merr mandat të plotë për të drejtuar Gjykatën Themelore Penale të Shkupit, gjykatën më të madhe penale në vend. /SHENJA/

 

MARKETING