Zyrtare: Zlatko Dalic largohet nga Kroacia
Zlatko Dalic ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij në krye të Kombëtares së Kroacisë pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.
Trajneri kroat ia ka bërë të ditur vendimin e tij Federatës Kroate të Futbollit gjatë një takimi me presidentin Marijan Kustic, duke mbyllur kështu një prej periudhave më të suksesshme në historinë e futbollit kroat.
Dalic mori drejtimin e Kroacisë në vitin 2017 dhe e udhëhoqi kombëtaren drejt epokës më të artë në historinë e saj, duke fituar tri medalje në turne madhorë.
Nën drejtimin e tij, Kroacia arriti në finalen e Kupës së Botës 2018 në Rusi, ku fitoi medaljen e argjendtë, më pas siguroi medaljen e bronztë në Kupën e Botës 2022 në Katar dhe medaljen e argjendtë në Ligën e Kombeve në vitin 2023.
Gjithashtu, ai e kualifikoi Kroacinë në Kampionatin Evropian 2020 dhe 2024, si dhe në Kupën e Botës 2026.
“Nuk ka nder më të madh sesa ta drejtosh kombëtaren tënde dhe nuk mund të kisha një punë më të rëndësishme, më të përgjegjshme dhe më të bukur”.
“Kur mora drejtimin e ekipit, besoja te cilësia e lojtarëve dhe te vetja, por nuk mund ta imagjinoja se do të arrinim gjithçka që kemi arritur gjatë këtyre pothuajse nëntë viteve”.
Dalic u shpreh krenar për fitoret, kualifikimet dhe medaljet e fituara, por theksoi se një nga arritjet më të mëdha ishte lidhja e krijuar mes kombëtares dhe tifozëve kroatë.
Trajneri kroat pati gjithashtu fjalë të mëdha për futbollistët që përfaqësuan vendin gjatë mandatit të tij, duke përmendur kapitenin Luka Modric dhe brezin që arriti finalen e Botërorit 2018, si edhe lojtarët e rinj që morën përgjegjësi në vitet e fundit.
“Isha jashtëzakonisht i privilegjuar që pata mundësinë të drejtoja futbollistë kaq të mëdhenj dhe njerëz kaq cilësorë. Ata gjithmonë e vendosën Kroacinë në radhë të parë dhe treguan me sjelljen, përkushtimin dhe qasjen e tyre se çfarë përfaqëson Kombëtarja e Kroacisë”.
“Mbështetja që mora ditët e fundit më bëri ta rishqyrtoj vendimin tim, por… ka ardhur koha.”
“Edhe pse ende kam ambicie dhe dëshirë për të arritur suksese të reja me Kroacinë, besoj se ky është momenti i duhur për t’i dhënë fund kësaj epoke të jashtëzakonshme”.
Dalic largohet si trajneri më i suksesshëm në historinë e Kombëtares së Kroacisë, pasi e shndërroi skuadrën në një nga ekipet më konkurruese dhe më të respektuara në futbollin ndërkombëtar.

