(VIDEO) Autostrada Shkup – Bllacë, Mickoski tha se të hënën nënshkruhet marrëveshja me kontraktuesin
Punimet në rrugën Shkup-Bllacë nisin këtë muaj. Kështu premtoi kryeministri Hristijan Mickoski. Ndërsa, njoftoi se të hënën nënshkruhet marrëveshja me kontraktuesin. Kryeministri ka theksuar se kjo pjesë e rrugës ka qenë njëra nga prioritetet e kësaj Qeverie dhe po e përfundojnë si projekt që është lënë i papërfunduar nga qeveria paraprake.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Kjo temë është folur në opinion me dekada. Ka përfunduar me sukses e gjithë procedura. Është zgjedhur kontraktuesi. Të hënën do të nënshkruhet marrëveshja zyrtarisht. Pres që këtë muaj të filloj puna në ate pjesë. Kështu që edhe kjo, trashigimi negative e së kaluarës po zgjidhet. Janë mijëra problemi që i kemi trashëguar, por po i zgjidhim një nga një. Një prej atyre prioriteteve që arritëm ta zgjidhim, është që pikërisht kjo pjesë e rrugës prej 8 kilometrash, të përfundohen”.
Para disa javësh u zgjodh kompania që do ta ndërtoj rrugën Shkup –Bllacë, e cila është kompania vendase e ndërtimit Granit. u premtua se punimet do të përfundojnë për tre vjet e gjysmë, ndërsa u theksua që autostrada do të ketë pesë tunele, dy galeria dhe 12 ura.
Kryeministri Hristijan Mickoski, edhe më 8 qershor premtoi se punimet e rrugës Shkup – Bllacë do të rifillojnë në muajin qershor ose korrik, mirëpo deri tani nuk kanë nisur. Sipas Ministrisë së Transportit bëhej fjalë për procedura burokratike.
Projekti për autostradën Shkup –Bllacë daton nga viti 2014. Pas premtimeve disa vjeçare, ndërtimi i segmentit të parë filloi në vitin 2020. Zyrtarët e partisë atëkohë në pushtet BDI, me video lavdëroheshin për këtë projekt, i cili nuk përfundoi kurrë. Kosova në anën tjetër, e ka përfunduar pjesën e saj prej 56 kilometrash në vetëm 5 vjet.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

