(VIDEO) Shasivari, Sulejmani dhe Ferati bëhen pjesë e Qeverisë
VLEN i konfirmoi emrat e ministrave të ri. Jeton Shasivari, Sedat Sulejmani e Agon Ferati do të udhëheqin Ministrinë e Drejtësisë, Kulturës dhe atë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Vendimin VLEN e ka sjellë mbrëmë pas mbajtjes së presidencës së saj.
IZET MEXHITI, BASHKËKRYETAR I VLEN-IT
“Pas mbledhjes së presidencës së VLEN-it të mbajtur sonte është marrë vendim që përfaqësuesit e saj në Qeveri të jenë figura që sjellin energji të re, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve”.
Ndërkaq, bënë me dije se në përbërjen e re qeveritare vazhdojnë të ushtrojnë detyrën Bekim Sali si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Besar Durmishi si ministër i Ekonomisë dhe Punës, si dhe Muhamet Hoxha si ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Këto emra kishte ditë që përfliteshin nëpër media, megjithatë nuk u zyrtarizuan nga VLEN deri të mërkurën vonë. Madje nuk pranoi t’i thotë as kryeministri, megjithëse tha se i ka emrat e ministrave të ri. Të martën VMRO-DPMNE mbajti Komitetin Ekzekutiv të partisë, pas së cilit e zyrtarizuan rikonstruimin e Qeverisë.
Në këtë rikonstruim, VLEN e la Ministrinë e Shëndetësisë që e udhëheq Azir Aliu dhe Ministrinë e Politikës Sociale, me në krye Fatmir Limanin, i cili në emërimin e tij në këtë post para dy vitesh ishte pjesë e VLEN-it. Ndërsa, u shkri edhe posti i zëvendës kryeministrit për Qeverisje të Mirë Arben Fetait, i cili pak kohë më parë dha dorëheqje.
Emine Ismaili /SHENJA/

