Ambasadori i Turqisë në Tiranë viziton Fondacionin ALSAR

Ambasadori i Turqisë në Tiranë viziton Fondacionin ALSAR

Kryetari i Fondacionit ALSAR priti këtë të premte, më 26 qershor, ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Barış Ceyhun Erciyes.

Vizita e ambasadorit në Fondacionin ALSAR i shërbeu një takimi njohës, ku ai pati mundësinë të shohë nga afër një pjesë të arritjeve të institucionit në njëzet vite aktivitet.

Fëmijë me veshje kombëtare e pritën me lule titullarin diplomatik turk, për t’ia lënë radhën një komunikimi të ngrohtë, miqësor, me mikpritësin, z. Mehdi Gurra.

Ambasadori i Republikës së Turqisë mësoi për veprimtaritë e shumta humanitare, arsimore dhe kulturore të Fondacionit ALSAR.

Ai u njoh me ecurinë e kurseve të turqishtes dhe i kushtoi vëmendje të posaçme aktivitetit botues. Për të u bë i ditur gjithashtu bashkëpunimi i ALSAR-it me ente partnere në Turqi, si dhe me organizata e fondacione në kontinent të krijuara nga turqit në Europë.

Interesimi për projektet në vazhdim të ALSAR-it u shoqërua me shprehjen e gatishmërisë për mbështetje të vazhdueshme. Kjo mbështetje u premtua veçanërisht për projekte që i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-turke dhe miqësisë midis dy popujve.

Në fund të vizitës dhe të bisedës miqësore me z. Mehdi Gurra, ambasadori e falënderoi atë për mikpritjen, për tërë kontributin e ofruar përmes aktivitetit të ALSAR-it, dhe e uroi për suksese të mëtejshme.

Kryetari i Fondacionit ALSAR i shprehu nga ana e tij falënderimin për vizitën, e i uroi punë të mbarë e qëndrim të këndshëm në kryeqytetin tonë.

MARKETING