Egjipti siguroi fitoren e parë në Kupën e Botës me përmbysje ndaj Zelandës së Re
Egjipti siguroi fitoren e parë në histori në Kupën e Botës pasi përmbysi rezultatin dhe mposhti Zelandën e Re me rezultat 3-1 në stadiumin BC Place në Vancouver të Kanadasë, duke u ngjitur në krye të Grupit G dhe duke forcuar shanset për kualifikim në fazën e ardhëshme, raporton Anadolu.
Egjipti hyri në ndeshje si favorit, me Mohamed Salah dhe Omar Marmoush që udhëhiqnin sulmin dhe me një numër të madh tifozësh egjiptianë që mbushën stadiumin.
Por Zelanda e Re goditi e para pas një gabimi në mbrojtjen e Egjiptit.
Mbrojtësi Finn Surman u ngrit mbi vijën mbrojtëse të Egjiptit në minutën e 15-të dhe shënoi me kokë pas goditjes nga këndi të Tim Payne, duke i dhënë Zelandës së Re epërsinë surprizë.
Egjipti kërkoi reagim, por iu desh të priste deri në pjesën e dytë për të gjetur golin.
Mostafa Ziko barazoi për Egjiptin në minutën e 58-të, duke shfrytëzuar harkimin e Mohamed Hany dhe duke shënuar me një goditje të saktë me kokë për rezultatin 1-1.
Nëntë minuta më vonë, Ziko ndihmoi në përmbysjen e rezultatit.
Sulmuesi shkëmbeu një pasim të shpejtë me Salah, i cili depërtoi në qendër dhe goditi fuqishëm me të majtën, duke e mposhtur portierin e Zelandës së Re dhe duke kaluar Egjiptin në epërsi.
Më pas, Trezeguet vulosi fitoren me një goditje të shkëlqyer me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Salah, duke i dhënë qetësi ekipit dhe duke nxitur festën e tifozëve egjiptianë.
Ky rezultat përbën një hap të madh për Egjiptin, i cili e kishte nisur fushatën me një barazim 1-1 ndaj Belgjikës.
Me katër pikë nga dy ndeshje, Egjipti u ngjit në krye të Grupit G dhe rritën shpresat për të kaluar në fazën me eliminim direkt.
Zelanda e Re, e cila barazoi 2-2 me Iranin në ndeshjen e parë, zbriti në fund të grupit me një pikë.

