(VIDEO) Këshilltarët e opozitës kërkojnë mbledhje urgjente për emrat shqip, reagon Albi Qamili
Pasi Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut e ka shfuqizuar vendimin e vitit 2007 me të cilin sheshi i Tetovës dhe disa rrugë të qytetit morën emra në gjuhën shqipe dhe emra të figurave historike shqiptare, kanë vijuar një sërë reagimesh në opinion. Këshilltarët e Aleancës Kombëtare për Integrim dhe të Lidhjes Shqiptare të Ziadin Selës, kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Këshilltarët njëzëri vlerësojnë se Tetova nuk duhet të kthehet dy dekada pas dhe se emërtimet e rrugëve përfaqësojnë identitetin, historinë dhe dinjitetin e qytetit.
KËSHILLTARËT E AKI-SË
“Ky nuk është vendim juridik, por një goditje e rëndë dhe e qëllimshme ndaj identitetit historik, realitetit shoqëror dhe dinjitetit qytetar të Tetovës. Në vitin 2006 BDI, e miratoi këtë vendim me votim të të gjithë këshilltarëve, të të gjithë etnive, me marrëveshje të plotë politike dhe me votim sipas parimit të Badenterit. Sot kërkojmë që ky vendim të ri-miratohet menjëherë, duke pasur parasysh se, sipas regjistrimit të fundit, për këtë çështje nuk kërkohet votim i dyfishtë me Bandenter në këshillin e Komunës së Tetovës”.
Në lidhje me këtë kërkesë, është prononcuar nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, i cili tha se se këto veprime janë të organizuara nga BDI dhe Gjykata Kushtetuese. Ai tha se vendimi i vitit 2007 për emërtimin e rrugëve në gjuhën shqipe, ka qenë vendim gjysmak nga BDI, teksa tani tha se do të regjistrohen sipas ligjit.
ALBI QAMILI, NËNKRYETAR I KOMUNËS SË TETOVËS
“Është një orkestrim dhe një skenarë I qartë I dyshës BDI-Gjykata Kushtetuese, të cilët po mundohen të fokusojnë opinionin, pikërishtë në momentin kur ne po e finalizojmë procesin e emërtimit të rrugëve në Tetovë. Ata po shfyqizojnë një vendim që kurrë nuk është implementuar, opinioni e dinë mirë se vendimi i Këshillit komunal I vitit 2007, që kanë bërë ri-emërtimin e 11 rrugëve, gjegjësishtë edhe të sheshit të Iliria, nuk ka hyrë në fuqi, shkaku se nuk ka pasur në atë kohë pëlqim nga qeveria”.
Sot ka reaguar edhe Lëvizja “Arbëria”, e cila është pjesë e koalicionin qeverisë me VLEN-in. “Në vend që të garantojë siguri juridike, drejtësi, respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe t’i detyrojë institucionet shtetërore ta respektojnë vendimin e Këshillit Komunal, Gjykata Kushtetuse po prodhon pasiguri , padrejtësi dhe po u jep force narrative të botës serbe e ruse”, theksohet në këtë reagim.
Ndërkohë nga komuna e Tetovës theksojnë se me punën e komisionit që ka formuar Komuna për këtë çështje, do të rikthehen emrat e rrugëve që janë nga vendimi i vitit 2007 por që nuk janë zbatuar, e po ashtu do të emërtohen edhe rrugë të tjera më emra të rinj.
Kujtojmë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese sheshi “Iliria” quhet “Marshall Tito”, rruga “Dervish Caara” rikthehet në akronimin e ushtrisë jugosllave JNA, “Mehmet Pashë Deralla” rikthehet në “29 Nëntori”, e të ngjashme.
Samir Mustafa /SHENJA/

