(VIDEO) Arrestohet ish kryetari i FFM-së dhe mbi 15 persona të tjerë
Nga tribunat të ulur si spektatorë të lojës së futbollit, tanimë janë ulur në bankën e të akuzuarve. Kështu duket se po shkruhet fati i disa prej drejtuesve të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, pasi sot edhe një ish-kryetar i FFM-së , është arrestuar në kuadër të një hetimi për keqpërdorime financiare që lidhen me funksionimin e federatës në periudhën 2016-2019. Bëhet fjalë për Ilço Gjorgjioski, i cili sipas informacioneve, gjatë ditës janë kryer kontrolle në disa lokacione, ndërsa organet hetimore kanë siguruar prova që lidhen me lëndën. Nuk përjashtohet mundësia që në kuadër të aksionit të përfshihen edhe persona të tjerë. Rasti lidhet me kallëzimin penal që Drejtoria e Policisë Financiare e kishte dorëzuar në vitin 2020 kundër 11 personave fizikë dhe 14 personave juridikë, për dyshime se në Federatën e Futbollit të Maqedonisë janë keqpërdorur rreth 2.4 milionë euro. Sipas dyshimeve të paraqitura atëherë, si kryetar i federatës, Gjorgjioski nuk kishte ushtruar mbikëqyrjen e duhur mbi punën financiare, duke mundësuar pagesa të paligjshme drejt kompanive të ndryshme. Në lëndë ishin përfshirë edhe ish-funksionarë të tjerë të federatës, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përvetësim, pastrim parash dhe mashtrim.
Hetimet kishin zbuluar pagesa të realizuara në bazë të faturave të dyshuara si fiktive për shërbime dhe mallra që, sipas autoriteteve, nuk ishin dorëzuar asnjëherë. Gjithashtu, ishte evidentuar edhe përdorimi i kartelës zyrtare të federatës për shpenzime private, me ç’rast ishte shkaktuar dëm financiar prej mbi tre milionë denarësh. Jozyrtarisht bëhet e ditur se gjatë kontrollit në shtëpinë e Gjorgjioskit janë gjetur edhe shuma të konsiderueshme parash të gatshme, të cilat do të jenë pjesë e verifikimeve të mëtejshme në kuadër të procedurës hetimore.
Institucionet kompetente ende nuk kanë publikuar detaje zyrtare për akuzat konkrete dhe për personat e tjerë të përfshirë në aksion, ndërsa pritet që gjatë ditëve në vijim të ketë më shumë informacione për zhvillimin e hetimit.
Samir Mustafa /SHENJA/

