(VIDEO) Promovohet iniciativë e re kundër dhunës në familje dhe në shkolla
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka prezantuar projektin e ri, “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistematik i dhunës në familje dhe dhunës mes bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”. Bëhet fjalë për një iniciativë që bashkon disa institucione, organizata të shoqërisë civile dhe shkolla, dhe e cila do të zbatohet gjatë një periudhe njëvjeçare. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se projekti është i përqendruar drejtpërdrejt në luftimin e shkaktarit më të madh të dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe dhunës në familje, sipas saj gjë që konfirmohet nga shumë organizata relevante dhe ekspertë të fushës.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Do të organizojmë gjithashtu diskutime me mësimdhënësit dhe familjet e nxënësve për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë problem dhe për të forcuar besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin, përfshirë edhe bashkëpunimin me institucionet. Pres që në këto diskutime të përfshihen edhe vetë nxënësit”.
Ndërkaq, sipas Emilija Boshkovska, nga Oda e Psikologëve, tha se shumë shpesh një fëmijë agresiv është një fëmijë që ka mësuar se agresiviteti është e vetmja gjuhë përmes së cilës mund ta shprehë dhimbjen e tij.
EMILIJA BOSHKOVSKA, ODA E PSIKOLOGËVE
“Kur një fëmijë është agresiv, reagimi ynë i parë duhet të jetë ndalimi i dhunës, por përgjegjësia jonë profesionale është gjithashtu të kuptojmë se nga vjen ajo dhunë. Nëse trajtojmë vetëm pasojën dhe jo shkakun, rrezikojmë që cikli i dhunës të vazhdojë nga një brez te tjetri”.
Ajo gjithashtu shtoi se qëllimi i përbashkët është të krijohen shkolla që jo vetëm transmetojnë njohuri, por edhe identifikojnë dhimbjen, ofrojnë mbështetje dhe bëhen një vend i sigurt për çdo fëmijë.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

