Ibrahim Alhassan largohet nga Shkëndija pas përfundimit të kontratës

Ibrahim Alhassan largohet nga Shkëndija pas përfundimit të kontratës

Shkëndija ka njoftuar se mesfushori nigerian Ibrahim Alhassan nuk do të jetë pjesë e skuadrës në sezonet e ardhshme, pasi kontrata e tij me klubin ka skaduar me përfundimin e sezonit 2025/26.

Pas dy vitesh të kaluara me fanellën kuqezi, palët ndajnë rrugët me respekt dhe mirënjohje të ndërsjellë, duke i uruar njëra-tjetrës suksese në vazhdim.

Alhassan iu bashkua Shkëndijës në verën e vitit 2024 dhe gjatë qëndrimit të tij në Tetovë ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të mesfushës. Në sezonin e tij të parë kontribuoi në fitimin e titullit kampion, ndërsa një vit më vonë ishte pjesë e skuadrës që realizoi suksesin më të madh në historinë e klubit në arenën ndërkombëtare.

Mesfushori 25-vjeçar ndihmoi ekipin në kualifikimin historik në fazën e Ligës së UEFA Conference League, si dhe në arritjen deri në fazën play-off të këtij kompeticioni, duke lënë gjurmë në një periudhë të suksesshme për klubin tetovar.

Shkëndija e ka falënderuar Alhassanin për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës së kaluar në klub, duke i uruar shëndet, mbarësi dhe shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij.

MARKETING