(VIDEO) Opozitarët kritikojnë Ligjin për mungesë të ndëshkimeve, pushteti mohon

(VIDEO) Opozitarët kritikojnë Ligjin për mungesë të ndëshkimeve, pushteti mohon

Ligji i propozuar nga Qeveria për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat vazhdon t’i përplasë edhe më tutje, partitë dhe deputetët shqiptarë të partive politike parlamentare. Opozita kritikon ligjin duke thënë se në të mungon pjesa normative ku parashihen ndëshkimet për të gjithë ata që  nuk e respektojnë ligjin. Deputeti shqiptar i LSDM-së, Fatmir Bytiqi thotë se personalisht ai nuk do ta votojë këtë zgjidhje ligjore të cilën shumica parlamentare tenton ta kontrabandojë.

Sipas Bytiqit, VLEN po mundohet ta arsyetojë ligjin njëjtë sikurse dikur BDI-ja mundohej t’i bindte shqiptarët se luani është stemë e pranueshme për shqiptarët.

FATMIR BYTIQI – DEPUTET 

Sot, ndjeva që përfaqësuesit e VLEN-it mundohen ta mbrojnë këtë ligj një lloj si BDI-ja që mundoheshte ta mbronte propozimin që luani është stemë e mirë për shqiptarët. Edhe atëher thonim se kjo nuk është diçka e mirë për shqiptarët që jetojnë në RMV. Dëgjonim përfaqësuesit e BDI-së që na bindnin. Sot po themi se kjo zgjidhje ligjore  për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk është zgjidhje e mirë ligjore.

Ligjin nuk e përkrahin as Aleanca për Shqiptarët, deputeti Rijad Shaqiri tha se do të dorëzojnë amendamente për të përmirësuar ligjin në pjesët  ku ka mangësi. Edhe Shaqiri ngriti shqetësimin se propozim ligjit i mungon pjesa ndëshkuese e cila do të jetë garancë për implementim. Tha se me ligj më shumë preket pjesa e meritokracisë se sa e përfaqësimit të drejtë.

RIJAD SHAQIRI – DEPUTET

Është kërkuar që të precizohet në një far forme qëllimi i këtij ligji sepse thjeshtë në vet dedikimin që e kanë bërë komisionit të Venedikut, qasja e ligjit ka qenë qasja e sistemit të meritokracisë se sa qasja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Shtrohet pyetja, përmes këtij ligji si do të jenë masat ndëshkuese ndaj institucioneve apo personaliteteve që udhëheqin me institucionet në mos respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Se ligji është i mirë dhe se ka edhe masa ndëshkuese, e thotë deputetja e VLEN, Saranda Imeri – Stafai. E cila tha se një nga masat ndëshkuese është përgjegjësia politike dhe shkarkimi i drejtorëve të cilët nuk e repsktojnë ligjin.

SARANDA IMERI STAFAI – DEPUTET

E lidh ligjin me regjistrimin e popullsisë dhe gjendjen reale në institucione parandalon vetë-deklarimet e rreme dhe keqpërdorimet në konkurse, detyron institucionet të raportojnë dhe të japin llogari për gjetjet e përfaqësimit garanton që asnjë institucion të mos e injorojë përfaqësimin e shqiptarëve dhe bashkësive tjera. Forcon meritokracinë dhe profesionalizmin harmonizon legjislacionin dhe parimin kushtetues të përfaqësimit dhe vendos përgjegjësi politike për moszbatimin e ligjit, deri në shkarkim të funksionarëve përgjegjës.

Kjo nuk është hera e parë që partitë politike përplasen për këtë propozim ligj. Bashkimi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar se do ta bllokojë propozim ligjin përmes amendamenteve.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING