Zvicra hedh poshtë “Brexit-in Alpin”, votuesit refuzojnë kufizimin e popullsisë në 10 milionë

Zvicra hedh poshtë “Brexit-in Alpin”, votuesit refuzojnë kufizimin e popullsisë në 10 milionë

Votuesit në Zvicër kanë hedhur poshtë të dielën një nismë të diskutueshme ligjore që synonte vendosjen e një tavanit të rreptë prej 10 milionë banorësh për popullsinë e vendit. Rezultatet e hershme paraprake, të ndara nga qeveria federale, treguan se gati 55% e pjesëmarrësve votuan kundër propozimit, në një referendum që shënoi një pjesëmarrje të lartë prej gati 59% në të gjithë vendin.

E njohur zyrtarisht si “iniciativa e qëndrueshmërisë”, kjo masë u nxit nga Partia Popullore Zvicerane, një forcë populiste e krahut të djathtë që mban numrin më të madh të vendeve në parlament. Propozimi u pagëzua nga kritikët si një “Brexit zviceran”, për shkak të rrezikut të madh që mbartte për shkëputjen e lidhjeve të thella ekonomike dhe kulturore me Bashkimin Evropian.

Debati mbi migracionin dhe mënyrën e jetesës
Partia e krahut të djathtë e justifikoi nismën duke pretenduar se rritja e shpejtë demografike – ku popullsia u rrit me një të katërtën gjatë gjeneratës së fundit – ka dëmtuar infrastrukturën, strehimin, burimet natyrore dhe programet sociale zvicerane. Aktualisht, të huajt përbëjnë gati një të tretën e popullsisë në Zvicër, kryesisht me origjinë nga vendet e BE-së.

Megjithatë, nisma hasi në një rezistencë të fortë nga qeveria federale, Parlamenti dhe shoqata e madhe e biznesit EconomieSuisse. Kritikët dhe përfaqësuesit e industrisë theksuan se bumi i migracionit ka qenë motori kryesor që ka sjellë fuqi punëtore dhe aftësi të huaja në sektorë jetikë si kujdesi shëndetësor, financat, farmaceutika dhe teknologjia.

Në Gjenevë, qyteti i dytë më i madh në vend, refuzimi ndaj nismës ishte akoma më i theksuar, ku rreth dy të tretat e votuesve u shprehën kundër.

Ndarja e opinioneve dhe reagimet e qytetarëve
Sistemi i demokracisë direkte në Zvicër u mundëson qytetarëve të vlerësojnë drejtpërdrejt politikat përmes referendumeve që organizohen katër herë në vit. Gjatë votimeve të së dielës, qëndrimet e qytetarëve jashtë qendrave të votimit reflektuan debatin e madh që ka përfshirë vendin:

“Nuk kam asgjë kundër imigracionit. Edhe unë jam një e huaj,” tha Maria Lalu, një ish-punonjëse e misionit diplomatik nga Filipinet, e cila mbërriti në Zvicër në fillim të viteve 1980 dhe që vlerësoi se imigracioni duhet të jetë më i rregullt.

Në kahun tjetër, mësuesja Natascha Robert shprehu shqetësimin se miratimi i ligjit do të dëmtonte marrëdhëniet me bllokun evropian, duke shtuar se diversiteti është një aset:

“Mendoj se njerëzit gjithmonë kanë diçka për të na sjellë. A do të thotë kjo që kemi më shumë të huaj, ndihem më pak zvicerane? Vërtet, jo.”

Kufizimet drastike që rrezikonte vota “Po”
Nëse referendumi do të miratohej, ai do të detyronte qeverinë zvicerane të ndërmerrte masa drastike sapo popullsia të prekte shifrën e 9.5 milionë banorëve përpara vitit 2050, duke përfshirë:

Kufizimin e të drejtës së azilit.
Pezullimin e programeve të ribashkimit familjar.
Kufizimin e dhënies së lejeve të reja të qëndrimit.
Anulimin e mundshëm të marrëveshjes me BE-në për lëvizjen e lirë të njerëzve.
Sipas të dhënave të qeverisë, që nga viti 2002, kur Zvicra dhe BE-ja lehtësuan kufizimet e lëvizjes dhe punësimit, popullsia e vendit u rrit me 23% (duke arritur në 9.1 milionë në fund të vitit të kaluar), por paralelisht edhe prodhimi ekonomik u rrit me 24%. Ndërsa shumë shtete aplikojnë politika shtrënguese për kufijtë, ekspertët zviceranë konfirmojnë se asnjë vend në botë nuk ka votuar ndonjëherë për të vendosur një tavan mbi numrin maksimal të popullsisë së vet.

/rtsh.al/

MARKETING