NATO do të reduktojë forcën paqeruajtëse në Kosovë pas përmirësimit të sigurisë

NATO do të reduktojë forcën paqeruajtëse në Kosovë pas përmirësimit të sigurisë

NATO ka njoftuar se do të reduktojë gradualisht numrin e trupave të misionit të saj paqeruajtës në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, duke theksuar se situata e sigurisë është përmirësuar mjaftueshëm për të mundësuar një prani më të vogël ushtarake, transmeton Anadolu.

Komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Kosovë, gjenerali Alexus G. Grynkewich, në një deklaratë tha se NATO-ja dhe KFOR-i janë “plotësisht të përkushtuar” ndaj sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë.

“Ky përkushtim ka çuar në rritjen e stabilitetit, pasi organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë një mundësi për të optimizuar më tej madhësinë dhe strukturën e KFOR-it”, tha gjenerali Grynkewich.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) është e dislokuar në vend që nga viti 1999 nën mandatin e OKB-së.

Në muajin janar, NATO tha se i dha fund dislokimit të trupave rezervë në kuadër të misionit, pas më shumë se dy vitesh rotacionesh të vazhdueshme.

Forca shtesë u dërguan pas tensioneve dhe dhunës së vitit 2023, përfshirë sulmet ndaj paqeruajtësve të NATO-s në qytetin Zveçan në veriun e Kosovës. Në atë kohë u dislokuan gati 1.000 trupa shtesë, duke shënuar përforcimin më të madh të KFOR-it në më shumë se një dekadë.

Sipas NATO-s, reduktimet e ardhshme do të kryhen gradualisht përmes cikleve normale të rotacionit të trupave dhe do të mbeten të lidhura me kushtet në terren. Aleanca tha se procesi mund të kthehet mbrapsht nëse situata e sigurisë përkeqësohet.

NATO gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe tha se do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) midis Beogradit dhe Prishtinës, duke e cilësuar atë si thelbësor për stabilitetin afatgjatë rajonal.

MARKETING