SHBA-ja dhe Irani mund të nënshkruajnë Memorandumin për Hormuzin të dielën në Gjenevë

SHBA-ja dhe Irani mund të nënshkruajnë Memorandumin për Hormuzin të dielën në Gjenevë

SHBA-ja dhe Irani janë pranë nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, me një ceremoni të mundshme nënshkrimi në Gjenevë që mund të zhvillohet të dielën, transmeton Anadolu.

Marrëveshja e mundshme vjen në kohën kur liderët e G7-tës pritet të mblidhen në Evian të Francës nga 15 deri më 17 qershor. “Një zyrtar i lartë iranian ka sinjalizuar se një marrëveshje është e mundshme”, tha një raport i Bloomberg, duke cituar një zyrtar të G7-tës që foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Një tjetër zyrtar i G7-tës tha se marrëveshja ka të ngjarë të marrë formën e një memorandumi mirëkuptimi dhe jo të një marrëveshjeje përfundimtare. Megjithatë, zyrtarët paralajmëruan se Irani ende nuk ka konfirmuar gatishmërinë për një ceremoni nënshkrimi dhe se komunikimet mes Teheranit dhe Washingtonit kanë qenë të ngadalta që nga fillimi i luftës në muajin shkurt.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit tha se Teherani “ende nuk ka arritur në një përfundim për këtë çështje” ndërsa la të kuptohet se po shënohet përparim drejt përfundimit të konfliktit, i cili ka destabilizuar Lindjen e Mesme dhe ka shtyrë çmimet e energjisë në rritje.

Raporti citon një diplomat të informuar për këtë çështje, sipas të cilit negociatorët iranianë kanë rënë dakord për një marrëveshje, megjithëse mbetet e paqartë nëse ajo është miratuar nga udhëheqësi suprem, Mojtaba Khamenei, i cili ka autoritetin përfundimtar mbi vendimet kryesore të politikës së jashtme dhe ato ushtarake.

Dje, presidenti amerikan, Donald Trump tha se kishte anuluar sulmet ajrore të afërta ndaj Iranit dhe pretendoi se një marrëveshje ishte pothuajse e përfunduar. Pas deklaratave të Trumpit, çmimet e naftës ranë dhe tregjet e aksioneve shënuan rritje ndërsa çmimet e energjisë vijuan rënien edhe sot.

Sipas Bloomberg, marrëveshja e mundshme do të zgjasë armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit me 60 ditë, do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe do të sjellë heqjen nga Washingtoni të bllokadës ndaj porteve iraniane.

MARKETING