CENTCOM mohon se Irani ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijeve luftarake amerikane në Gjirin e Omanit

CENTCOM mohon se Irani ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijeve luftarake amerikane në Gjirin e Omanit

SHBA-ja ka mohuar pretendimet se Irani ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijeve luftarake amerikane në Gjirin e Omanit, duke shtuar se forcat iraniane nuk i detyruan anijet amerikane të “tërhiqeshin” drejt Oqeanit Indian, transmeton Anadolu.

“Pretendim i rremë: Irani pretendon se ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijeve luftarake amerikane në Gjirin e Omanit, duke detyruar mjetet amerikane të ‘tërhiqen’ drejt Oqeanit Indian”, shkroi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në rrjetin social amerikan X.

“E vërteta: Forcat iraniane nuk sulmuan dhe nuk qëlluan ndaj anijeve luftarake të marinës amerikane. Një veprim i tillë do të përbënte një shkelje të rëndë të armëpushimit. Forcat amerikane vazhdojnë të operojnë lirisht në ujërat rajonale, ndërsa zbatojnë plotësisht bllokadën e vazhdueshme ndaj Iranit”, shtoi CENTCOM.

Deklarata erdhi në përgjigje të një njoftimi të ushtrisë iraniane më herët gjatë, ku thuhej se marina iraniane ka qëlluar me raketa dhe dronë paralajmërues drejt destrojerëve amerikanë që operonin në Detin e Omanit, duke i detyruar ata të largoheshin nga zona.

Zyra e marrëdhënieve me publikun e ushtrisë iraniane tha se ky veprim ishte pjesë e operacioneve të vazhdueshme të kryera në përgjigje të asaj që e përshkroi si ngacmime detare nga SHBA-ja dhe konfiskimin e anijeve tregtare dhe cisternave iraniane të naftës.

Sipas deklaratës, forcat detare iraniane lëshuan raketa Qadir dhe dronë sulmues Shahed Danesh drejt destrojerëve amerikanë DDG-103 dhe DDG-87.

MARKETING