Ish-prokurorja refuzon t’u përgjigjet pyetjeve për përfshirjen e Trumpit në publikimin e dosjeve të Epstein-it
Ligjvënësit demokratë thanë se ish-Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve për përfshirjen e presidentit Donald Trump në publikimin e dokumenteve qeveritare lidhur me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein, transmeton Anadolu.
“Unë gjithashtu e pyeta personalisht ish-prokuroren e përgjithshme pesë herë në pesë pyetje të ndryshme për bisedat e saj me presidenti Trump, nëse ai i kishte dhënë udhëzime në ndonjë moment për dosjet e Epstein-it, çfarë dinte ai dhe çfarë i kërkoi asaj të redaktonte ose jo”, tha Robert Garcia, demokrati kryesor në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve.
“Ajo refuzoi t’i përgjigjej çdo pyetjeje për presidentin Trump. Në fakt, tha se nuk do të fliste apo të përgjigjej për asgjë që kishte të bënte me presidentin Trump”, shtoi ai gjatë deklaratave për gazetarët në Kapitol.
James Walkinshaw, një tjetër demokrat në komitet, tha se ish-prokurorja Bondi i kishte thënë atij se “nuk është e sigurt për shkallën e njohurive të tij” kur u pyet nëse Trump kishte ditur për krimet e Epstein-it para publikimit të dokumenteve qeveritare.
“Ajo kishte mundësinë të thoshte se Donald Trump nuk ishte në dijeni të atyre krimeve. Kishte mundësinë të thoshte: ‘Unë e njoh Donald Trump dhe nëse do të ishte në dijeni, do të kishte vepruar.’ Në vend të kësaj, ajo tha: ‘Nuk e di’ ”, tha ai.
Trump prej kohësh ka kërkuar të distancohet nga Epstein, një ish-mik me të cilin frekuentonte të njëjtat rrethe shoqërore para prishjes së marrëdhënieve.
Epstein vdiq në paraburgim në një institucion të ndalimit në New York në vitin 2019 ndërsa priste gjykimin për akuza federale për trafikim seksual dhe komplot me të mitur. Ai më parë ishte deklaruar fajtor në vitin 2008 në shtetin amerikan Florida për kërkim dhe rekrutim të të miturve për prostitucion.

