(VIDEO) Ceremonia qendrore e Kurban Bajramit u mbajt në xhaminë Mustafë Pasha

(VIDEO) Ceremonia qendrore e Kurban Bajramit u mbajt në xhaminë Mustafë Pasha

Me lutje për paqe, mirësi dhe solidaritet, besimtarët myslimanë në vend pritën sot festën e Kurban Bajramit. Që në orët e hershme të mëngjesit, xhamitë u mbushën me besimtarë të cilët u mblodhën për të shënuar një nga festat më të rëndësishme islame, që simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe afrimin mes njerëzve.

Atmosferë festive pati edhe në Xhaminë Mustafë Pasha në Shkup, ku u mbajt ceremonia qendrore e organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut. Nga kjo xhami u përcollën urime dhe mesazhe për paqe, unitet e mirësi, ndërsa kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu foli për rëndësinë dhe vlerat që sjell festa e Kurban Bajramit.  Ai tha se në këto ditë kryhet kushti i 5-të themelor të islamit, Haxhi në vendet e shenjta dhe se në të njejtën kohë, në këto ditë kryhet obligimi i domosdoshëm për të gjithë besimtarët, prerja e kurbanit, të cilin e kanë obligim të gjithë ata që kanë mundësi materiale.

Shaqir Fetahu kreu i BFI-së

“Sot kemi ditën e madhe për të gjithë besimtarët, festën e kurban bajramit. Allahu xh.sh na e bëftë kabull namazin e Kurban Bajramit që e krymë sot në xhaminë e Mustafa Pashës. Festa e Kurban Bajramit vërtetë është një ditë e madhe për të gjithë myslimanët e vendit dhe jashtë vendit sepse në këto ditë kryhet kushti i 5-të themelor Haxhi në vendet e shenjta në Qabe, Arafat, në Zelife, Mine  dhe shumë vende tjera. Në të njejtën kohë, është festë e madhe për arsye se në këto ditë kryhet obligimi i domosdoshëm për të gjithë besimtarët, prerja e kurbanit, të cilin e kanë obligim të gjithë ata që kanë mundësi materiale, andaj kjo festë është festë e afrimit në mes njerëzve, festë e solidaritetit, festë e humanitetit dhe festë e pajtimit, unitetit, afrimit familjar dhe shumë vlerave tjera”.

E mes urimeve, lutjeve dhe atmosferës festive, besimtarët myslimanë shënuan edhe këtë vit Kurban Bajramin, duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe afrimi mes njerëzve. Ndërkaq, qytetarët vazhduan vizitat familjare dhe shpërndarjen e kurbanit për ata që kanë nevojë, duke ruajtur kështu frymën humane dhe domethënien e kësaj feste të madhe islame.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING