(VIDEO) Sela dorëzon në Kuvend ligj për përfaqësim vërtetë të drejtë

(VIDEO) Sela dorëzon në Kuvend ligj për përfaqësim vërtetë të drejtë

Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat vazhdon të shkaktojë përplasje politike në Kuvend. I pakënaqur nga propozim ligji i Qeverisë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, njoftoi se ka dorëzuar në procedurë parlamentare propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Sela deklaroi se propozimi i ASH-së garanton përfaqësim real të komuniteteve në institucionet shtetërore, duke përfshirë edhe mekanizma ndëshkues për institucionet dhe përgjegjësit që nuk e zbatojnë ligjin. Ai theksoi se në projektligj janë përfshirë edhe dispozita që rregullojnë përfaqësimin gjinor.

Për Selën, propozimi i Qeverisë ka për qëllim vetëm ta harxhojë këtë temë të rëndësishme dhe ta bëjë të pazbatueshme. Siguroi se propozim ligji i përgatitur nga ASH do të garantojë përfaqësim të drejtë edhe në institucionet e drejtësisë.

ZIADIN SELA – ALEANCA PËR SHQIPTARËT

Janë përfshirë të gjitha institucionet baza është kompetenca territoriale dhe kuptohet, kjo nisë nga Qeveria, që do të duhet ta implementojë këtë të drejtë në nivelin se sa është përqindja e bashkësive etnike në regjistrimin e fundit të popullatës, duke vazhduar pastaj në institucionet e gjyqësisë, shembull, Gjykata Kushtetuese, Gjykata Supreme do të duhet të përfaqësojë po këtë realitet në nivel shteti. Gjykatat e apelit duhet të përfaqësojnë realitetin etnik”.

Propozimin e Selës e komentoi Izet Mexhiti, sipas tij, Sela ka pasur kohë dhe mundësi në të kaluarën ta zgjedh këtë problem, ligjin e ri të ASH-së, Mexhiti e cilësoi si “listë” dëshirash të Selës.

IZET MEXHITI – VLEN

Edhe unë, edhe z.Sela kemi pasur mundësi në të kaluarën, nuk kemi bo zgjidhje, nuk kemi sjell ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Tash me u ul anash e me shkrujt dëshira është e lehtë. Ato, kur të jesh në Qeveri duhet ti negociosh, me partnerët e Qeverisë, ti imponosh zgjidhjet dhe ajo që është më rëndësi, pas 25 vitesh për herë të parë, kjo çështje, zgjidhet me ligj”.

Ndërkohë, në procedurë parlamentare ndodhet edhe projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i propozuar nga shumica qeverisëse e për të cilin së shpejti pritet të fillojë debate në Kuvend. Të njëjtin si zgjidhje të mirë ligjore e paraqet edhe partia shqiptare pjesë e shumicës qeverisëse.

Mevludin Imeri /SHENJA/

 

MARKETING