VLEN: Tubimin proserb në Kumanovë e organizoi miku i Bujar Osmanit, konsulli i nderit Vlladimir Stajiq!
VLEN ka reaguar ashpër ndaj akuzave të BDI-së, duke e cilësuar këtë parti si “të fundit që mund të flasë për ndikim serb në Maqedoninë e Veriut”.
Në një kumtesë për media, VLEN akuzon BDI-në se ishte promotore e nismës “Ballkani i Hapur”, të cilën e përshkruan si projekt në funksion të politikave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe në dëm të Kosovës.
“BDI është partia që e solli Ballkanin e Hapur në Maqedoninë e Veriut, projekt që i shërbeu Vuçiqit dhe tentoi ta shesë dominimin serb si bashkëpunim ekonomik rajonal”, thuhet në reagim.
Nga VLEN kërkojnë që BDI të sqarojë publikisht raportet me persona që, sipas tyre, lidhen me organizimin e tubimeve në mbështetje të Vuçiqit. Në këtë kontekst përmendet emri i Vlladimir Stajiqit, për të cilin VLEN pretendon se ka lidhje me figura të larta të BDI-së, përfshirë ish-ministrin e Jashtëm Bujar Osmani.
“VLEN nuk merr leksione patriotizmi nga partia që e ktheu patriotizmin në biznes familjar dhe shqiptarinë në mbulesë për pazare politike”, theksohet më tej në reagim.
Koalicioni rithekson se është kundër çdo ndikimi serb dhe çdo tentative për ta larguar vendin nga rruga euroatlantike, ndërsa akuzon BDI-në për hipokrizi politike dhe marrëveshje të dëmshme për shqiptarët.
Në fund, VLEN deklaron se BDI “nuk ka problem me botën serbe”, por vetëm me faktin që qytetarët shqiptarë ia kujtojnë rolin që ka pasur në promovimin e “Ballkanit të Hapur” dhe raportet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

