BDI: Kur shteti merr erë Beogradi, VLEN merret me studentët shqiptarë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar përmes një kumtese publike lidhur me zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, duke ngritur shqetësime për, siç thuhet, ndikime serbe në institucionet shtetërore dhe duke kritikuar koalicionin VLEN për heshtje.
Në reagimin e tyre, nga BDI përmendin pretendimet e bëra nga opozita se një zëvendëskryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ka lidhje me shërbimet serbe. Sipas partisë, shqetësim shtesë paraqet edhe tubimi i mbajtur në Kumanovë në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku, sipas tyre, janë dëgjuar edhe thirrje kundër Kosovës.
“Pyetja është: ku janë VLEN?”, thuhet në reagimin e BDI-së, duke akuzuar koalicionin shqiptar në qeveri se po hesht përballë çështjeve që lidhen me orientimin strategjik dhe euroatlantik të shtetit.
Nga BDI vlerësojnë se shqiptarët kanë qenë “garancia më e fortë e kursit pro-evropian dhe pro-NATO të Maqedonisë së Veriut”, ndërsa shtojnë se heshtja ndaj këtyre zhvillimeve “nuk është neutralitet, por pozicionim”.
Kumtimi vjen në një periudhë kur në debatet politike dhe evropiane janë përmendur shqetësime për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “bota serbe” në rajon.

