MPB: 18 shoferë të arrestuar në 24 orë, pesë të mitur vozisnin pa leje
Policia ka privuar nga liria 18 shoferë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e vendit për shkelje të rënda në komunikacion, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, 12 prej tyre kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, ndërsa pesë kanë qenë të mitur. Katër shoferë janë kapur duke drejtuar automjet nën ndikimin e alkoolit, ndërsa dy të tjerë kanë vozitur njëkohësisht pa patentë dhe në gjendje të dehur.
Në Shkup janë evidentuar dy të mitur që kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, ndërsa në Kërçovë janë ndaluar gjashtë persona, prej të cilëve tre të mitur. Dy raste janë regjistruar në Veles, ndërsa nga një në Strugë dhe Prilep.
Për drejtim nën ndikimin e alkoolit, policia ka arrestuar nga një person në Dellçevë, Sveti Nikollë, Veles dhe Prilep. Ndërkaq, në Radovish dhe Gostivar janë ndaluar shoferë që kanë drejtuar automjet pa patentë dhe nën ndikimin e alkoolit.
Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.
Institucioni apelon deri te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjet pa patentë shoferi apo nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

